Rasti “Almiri”, mbrojtja kërkon monitorim ndërkombëtar

10.03.2018 20:57:24
Avokatët e familjes së Almir Aliut kërkojnë monitorim ndërkombëtarë të procesit gjyqësor. Avokati Asmir Alispahiç i ka nisur një shkresë ambasadave relevante në vend me kërkesën për inspektimin nga ana e tyre të procesit gjyqësor me qëllim anashkalimin e mundësime për gjykim jo të drejtë.

“Me shkresë zyrtare janë njoftuar ambasada e SHBA-ve, Francës, Gjermanisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Në të është përfshirë një sqarim i shkurtë se përse duhet që kjo lëndë të monitorohet nga ana e tyre.

 Kemi të bëjmë me një test të madh për gjyqësorin në Maqedoni dhe përpjekjet për reforma” – tha Asmir Alispahiç, avokat.
 Më 15 mars do të thuhen fjalët përfundimtare. Alispahiç shpreson që prokurorja e lëndës nuk do të kërkojë rikualifikim të veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

“Më 15 mars të gjithë do t’i kenë sytë nga gjykata. Shpresojmë që prokurorja Suzana Kusigerska nuk do të bëj rikualifikimin i cili tashmë për opinionin është i njohur, aq më pak pas dëgjimit të dëshmitarëve Bojan Iliq dhe Tanja Dimkovska” – u shpreh Asmir Alispahiç, avokat.

Seanca për rastin e Almir Aliut ka nisur nga fillimi. Së fundi dëshmuan Bojan Iliq dhe Tanja Dimkovska. Prokuroria Publike ka qëndruar në akuzën e njëjtën, pavarësisht vendimit të Prokurorisë Republikane për rikualifikim të veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekje”.

Për rikualifikimin u prononcua edhe Kryeprokurori Ljubomir Joveski i cili tha se “për” rikualifikimin është vendosur për shkak të pamundësisë për të konstatuar paramendimin tek i akuzuari Boban Iliq. Deklarata e tij nxiti reagime dhe protesta.

Pala dëmtuar në seancën paraprake propozoi dëshmitë, por dëshmitarët okular nuk u pranuan nga ana e trupit gjykues. Në rastin e Almir Aliut tre persona akuzohen për dhunë: Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri, ndërsa Boban Iliq akuzohet për vrasje.

Jashtë akuze mbetet Bojan Iliq, vëllai i të akuzuarit për vrasje. Vrasja e Almir 4 vjeçar ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, si pasojë e goditjes më veturë nga agresori Boban Iliç pas një zënke paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit për vrasje.