Rasti i “gylenistëve”,Deda kërkon ndëshkim të përgjegjësve për të shpëtuar themelet e shtetit

31.03.2018 11:20:24
Deputeti Ilir Deda ka thënë se në seancën e Kuvendit, e cila pietet të bahet gjatë javës së ardhshme për arrestimin dhe deportimin e gjashtë qytetarëve turq, rezultati duhet të jetë krijim i një komisioni për hetim të kësaj ngjarje.

Ai në një postim në facebook ka thënë se themelet e çara të Kosovës, do të sanoheshin deri në një masë vetëm me ndëshkimin e personave përgjegjës për këtë rast.

Postimi i plotë i tij:

Javë e ardhshme, sipas të gjitha gjasave, do të ketë seance të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me veprimet e errëta të shtetit tonë me gjashtë shtetasit turq.

Rezultat i kësaj seance duhet të jetë krijimi i Komisionit hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, shkelësit e të drejtave elementare të njeriut, dhe na kthjellë nga “mjegulla” e përgjegjësisë komanduese shtetërore në sektorin e sigurisë dhe deportimin e paligjshëm të shtetasve turq.

Themelet e çara të shtetit tonë do të sanohen sado pak vetëm me ndëshkim të të gjithë përgjegjësve.

Turpi shtetëror, në anën tjetër, do të merr kohë të gjatë të kalojë.