Rasti “Kelmendi”, apo koha për tërheqje nga skena politike!

21.03.2018 11:31:27

Nga Rexhep Kastrati

Heroi i ditës së sotme, duket se do të jetë Ramiz Kelmendi, i cili, sipas informacioneve, e paska në dorë fatin e vendit, përkatësisht ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, pra edhe liberalizimin e vizave.

Lajmi i bërë publik nga vetë Ramiz Kelmendi, se nuk do ta votonte për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje pasi që ishte kërcënuar me familje, u bë kryelajm, pikërisht për shkak se vota e tij mund të ishte vendimtare për ratifikimin e asaj Marrëveshjeje.

Pa dashur të heqi aspektin human të çështjes, pasi që vërtet është pozitë e vështirë emocionale kur të kërcënojnë, apo të bëjnë shantazh, por është, po ashtu, fakt se sikur të ishin stepur përballë kërcënimeve, patriarkët e pavarësisë, lirisë, demokracisë në krye me presidentin Rugova, Kosova jo që nuk do të ishte e pavarur, por edhe do të ishte copëtuar, apo edhe do të ishte si Vojvodina.

Këta patriarkë të lirisë, pavarësisë, demokracisë u vranë, por nuk u stepën, nuk hoqën dorë nga angazhimet e tyre politike dhe kombëtare, dhe falë vendosmërisë së tyre dhe të popullit, Kosova është e pavarur.

Ata që ndërkaq mund të kenë pasur luhatje, dilema dhe mëdyshje kanë lëshuar rrugë. Nuk është mungesë burrërie hapja e krahut për të lëshuar rrugë! Përkundrazi!

Edhe Ramiz Kelmendi, sa ta maltretojë veten dhe familjen me psikoza frike, kërëcnimi, shantazhi, dhe të mbajë peng proceset, bën mirë të tërhiqet dhe t’ia lëshojë vendin në Kuvend dikujt tjetër. Dhe kjo do të ishte burrëri nga ana e tij!

Dhe shembullin e tij pastaj ta ndjekin edhe të tjerë që janë të shantazhueshëm dhe që nuk mund të ushtorjnë si duhet funksionet e tyrepolitiko-institucionale. Edhe ashtu shumica e tyre kanë bërë pare si zalli dhe nuk heqin keq në jetë.