Rasti “Oliver Ivanoviq”/ Kë po shantazhon Vuçiq?

23.07.2018 15:59:26

Nga Rexhep Kastrati

Aleksandër Vuçiq sërishmi është marrë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke deklaruar se ka informacione të sakta për autorët e kësaj vrasjeje.

Është e qartë se edhe kësaj radhe, Aleksandër Vuçiq, lidhur me këtë vrasje, sillet si një shantazhues, pasi që në të kundërtën, do të duhej të nxiste institucionet në Serbi që të kryenin arrestime, e nëse vrasësit janë në Kosovë, atëherë do të akuzonte shqiptarët për vrasje.

Historia, jo vetëm e viteve të fundit, por edhe e dekadave dhe e shekujve më parë, është e mbushur me akuza ndaj shqiptarëve se gjoja kanë kryer krime ndaj serbëve, duke i paraqitur fajtorë kujdestarë në çdo periudhë të historisë së shekujve të fundit të rajonit dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Madje edhe akuzat fillestare ishin se Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë shqiptarët, e të cilat u fashitën pasi që edhe e veja e Ivanoviqit kishte drejtuar gishtin kah Serbia.

Pra, në çdo rast, Aleksandër Vuçiq, edhe në cilësinë e presidentit të Serbisë i ka të gjitha konpetencat për të urdhëruar operacionalizimin e një aksioni për arrestimin e vrasësve nëse do të ishin në Serbi, ose të kërkonte nga institucionet e Kosovës ta bënin të njëjtën, e nëse nuk janë as në Serbi, as në Kosovë, atëherë do të duhej të kërkonte nga Interpol që të kryente arrestimin e vrasësve të mundshëm.

Mirëpo, Aleksandër Vuçiq nuk është i interesuar që të zbardhet e vërteta për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por që këtë vrasje ta përdorë për shtantazh, marrë parasysh lidhjet dhe implikimet e shumta që mund të jenë në këtë rast.

Pra, me deklarata të tilla se ka informacione të sakta për autorët e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Aleksandër Vuçiq dëshiron të përcjellë mesazhe të dekonspirimit, të zbulimit dhe të bërjes publike të të vërtetës për këtë vrasje, nëse të implikuarit e mundshëm nuk marrin parasysh, ose duan t’i luajnë bisht pazareve të fshehta që mund të jenë bërë deri më tash.

Po kush janë të implikuar në këtë vrasje: BIA serbe vetëm; mafia serbo-shqiptare që e kontrollon veriun e Kosovës dhe politikën në Kosovë me një kontroll në hije nga BIA; kundërshtarë politikë të Oliver Ivanoviqit në Serbi dhe në mesin e serbëve në Kosovë me ndihmën e mafias serbo-shqiptare?

Mafia serbo-shqiptare që kontrollon veriun e Kosovës, por edhe politikën në Kosovë, gjatë luftës dhe pas saj, ka pasur një rol të fuqishëm në shumë zhvillime kryesore dhe ka përcaktuar madje edhe rrjedhën e proceseve të ndryshme.

BIA, po ashtu, ka dorë të lirë në skenën politike në Kosovë, pasi që rekrutë të shumtë shqiptarë janë në skenën politike të Kosovës, të cilët kryejnë shumë shërbime brenda institucioneve të Kosovës dhe në përgjithësi në politikën, dhe në mediet shqiptare në Kosovë.

A po i shantazhon këta Vuçiqi me mundësinë që të bëjë publike lidhjet e tyre dhe përkatësinë e tyre me mafian serbo-shqiptare dhe me agjentura kundërshqiptare nëse nuk do të punojnë për interesa të Serbisë?

Në anën tjetër, Aleksandër Vuçiq nuk është më pak i interesuar për të shantazhuar skenën politike në Serbi, përkatësisht kundërshtarët e tij politikë, e të cilët, po ashtu, janë të përfshirë në skandale nga më të zakonshmet e deri te ato të krimit politik, të korrupsionit dhe të natyrave të tjera.

Vuçiq ka dëshmuar se nuk e ka për gjë të shantazhojë skenën politike në Serbi, edhe për të mbrojtur qëndrimet dhe veprimet ndaj Kosovës, edhe për luftën e tij në pushtet. Shantazhi i fundit ndaj skenën politike në Serbi, ishte nëpërmjet adresimit të çështjes së pavarësisë së Kosovës në GJND nga ana e Serbisë, me çka vetë Serbia kishte vulosur pavarësinë e saj.

Me këtë, Vuçiq de facto përgjegjësinë për pavarësinë e Kosovës ia hedh kundërshtarëve politikë në Serbi, e të cilët ishin në pushtet në atë kohë.

Mirëpo, a janë vetëm klasa politike dhe  mediet në Kosovë, si dhe kundërshtarët politikë në Serbi që shantazhohen nga Vuçiq, apo shantazhet e tij kanë përmasa më të gjera rajonale dhe botërore?