Ratifikimi i Demarkacionit, pas 3 gushtit

25.07.2016 06:28:59

Qeveria e Kosovës nuk do ta procedojë Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi për ratifikim në Kuvend, para datës 3 gusht, kur pritet të mbahet tryeza mes ekspertëve, deputetëve, shoqërisë civile rreth kësaj çështjeje.

Pavarësisht se javë më parë e kishte futur në agjendë për dërgim në Kuvend, pas kundërshtimeve të shumta, madje edhe nga partneri i koalicionit qeverisës PDK-ja, kryeministri Isa Mustafa kishte tërhequr nga rendi i ditës.

Ekzekutivi është i vendosur që ta dërgojë për ratifikim Marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por, njëherë ka vendosur ta presë mbajtjen e tryezës më 3 gusht, për t’i parë argumentet e njërës dhe palës tjetër e pastaj për ta proceduar në institucionin më të lartë ligjvënës për ratifikim.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili ka thënë se nuk e kanë caktuar ende ditën kur do ta procedojnë, por nuk beson para mbajtjes së tryezës për demarkacionin.

“Nuk ka ndonjë ditë të caktuar. Nuk besoj se do të ndodhë para tryezës së 3 gushtit”, ka thënë Abrashi