Reagim: Drecuni vazhdon me luftë speciale ndaj Kosovës për ta destabilizuar atë

20.08.2016 16:09:13

Nga Rexhep Kastrati

Milovan Drecun, sikurse shumë herë të tjera nuk lë rast pa shfrytëzuar që të provokojë Kosovën dhe qytetarët e saj, në kuadër të strategjisë serbe për të futur sa më shumë përçarje në skenën politike në Prishtinë, dhe për të nxitur polarizimet e shoqërisë sonë, bazuar në situatën dhe efektet psiko-sociale, socio-politike dhe institucoonale që kanë shkaktuar Marrëveshja për Asociacionin dhe Marrëveshja për Demarkacionin.

Kësaj radhe, Drecun shfrytëzoi vizitën e zëvendëspresidentit amerikan Xho Bajden në Beograd dhe në Prishtinë , me ç’rast nga të dyja qeveritë respektive ka kërkuar respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Qeverisë së Serbisë, Xho Bajden ia ka bërë të qartë se duhet të bëjë më tepër për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, kurse Qeverisë së Kosovës i ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, por edhe Marrëveshjen për Demarkacionin.

Drecun kapet pikërisht këtu, për të thënë se SHBA-të kanë filluar të mendojnë për interesat e Serbisë në Kosovë, për të forcuar kështu orientimet kundëramerikane të sektës okulte të Albinit dhe të ndonjë grupimi tjetër, edhe pse Xho Bajden vetëm ka ripërsëritur qëndrimin tashmë të njohur të Qeverisë amerikane për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Këto provokime të Drecunit vijnë në kohën kur ka filluar të ashpërsohet retorika politike e sektës okulte të Albinit, e cila ka paralajmëruar se më një shtator do të ketë edhe trimëri, dhe në kohën kur edhe partitë e koalicionit qeverisës kanë shprehur tone disonante për Marrëveshjen për Demarkacion.

Se çka u ka thënë prerë Xho Bajden zyrtarëve të lartë serbë në Beograd, e kanë shprehur Nikoliq dhe Vuçiq, kur kanë deklaruar se e dimë zgjidhjen: njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke bërë të qartë se zëvendëspresidenti amerikan ka kërkuar nga ta pikërisht këtë.

Pransaj Drecun synon sikurse institucionet shtetërore të Serbisë që të mashtrojë opinionin serb lidhur me qëndrimet e prera që Xho Bajden ka shprehur në Beograd për Kosovën, si dhe të provojë të bartë konfliktin e brendshëm serb në Kosovë dhe në rajon, për të shmangur kështu edhe zbatimin e marrëveshjeve, edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës

Mirëpo, Drecun e di se përgjegjësia për moszbatim të marrëveshjeve bie mbi Beogradin dhe se është Serbia që duhet të heqë institucionet e saj nga Kosova dhe të këshillojë serbët e Kosovës ta njohin Prishtinën kryeqytet të tyre.

Serbia nuk është në gjendje të bëjë as njërën, as tjetrën, por edhe të gjejë pretekste të vazhdueshme për të zbatuar marrëveshjet dhe për të njohur shtetin e Kosovës, prandaj ka bërë dhe po bën gjithçka për ta tensionuar dhe destabilizuar Kosovën.

Prandaj edhe çdo forcë politike, çdo grupacion apo individ që ndjekin politika destabilizuese në Kosovë veçsa bëjnë punën e Beogradit.