Reagim i Lidhjes Demokratike të Kosovës: Sukseset e Qeverisë janë përgjigjia më e mirë për nihilistët e mësuar me keqpërdorimin e buxhetit të shtetit

30.11.2016 12:21:38

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj etiketimeve dhe qëndrimeve nihiliste të shprehura nga Avni Arifi i AAK-së. Në reagimin e publikuar në faqen e saj zyrtare, LDK me një ironi të lehtë, dhe pasi ia numëron disa nga sukseset e kësaj qeverisjeje në rrethana të vështira, ia bën të qartë Avni Arifit se ka kaluar koha e keqpërdoruesve të buxhetit, të donacioneve të ndryshme dhe të sharësve profesionistë.

Ky është reagimi i plotë i LDK-së:

“Kuadri i AAK-së, Avni Arifi, paska deklaruar sot së “Qeveria Mustafa është Qeveria më e dobët e pasluftës” Siç duket ai e ka fjalën për faktin se gjatë kësaj Qeverie, ndër të tjera, janë arritur këto rezultate “modeste”: 1. Është bërë nënshkrimi, ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet MSA-ja . 2. Është marrë rekomandimi për liberalizim vizash (i bllokuar me arsye të rrejshme dhe për përfitime elektorale nga AAK-ja.3. Është arritur rritja më e madhe ekonomik në rajon dhe në Evropë (Sipas Bankës Botërore). 4. Pensionet janë rritur deri 70% dhe asistenca sociale për 25 % . 5. Janë ndërmarrë reformat më të mëdha fiskale në rajon dhe më gjerë (Vlerësimet e BB dhe FMN). 6. Është arritur avancimi më i madh në rajon në të bërit biznes (Sipas BB). 7. Subvencionimi më i madh historik për bujqësi. 8. Buxheti mbi 2 miliardë Euro . 9. Kosovës iu kanë hapur dyert në të gjitha shtetet e botës dhe organizatat ndërkombëtare . 10. Është bërë anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA… e dhjetëra suksese të tjera evidente… Mirëpo, ndoshta më të drejtë, Avni Arifit nuk ia mbushin mendjen këto rezultate “të vogla”, pasi që atë e bindin rrogat e majme që dikur i merrte si “koordinator i asgjëhit” si dhe ndonjë e hyrë e paparashikuar nga ndonjë kazino apo “donacion i qejfit a i zorit”. Kjo Qeveri “ka dështuar”, pasi që përfundimisht i ka dhënë fund parazitizmit të disa sharësve profesionistë, të cilët e humbën torruan pasi që nuk arritën të bëhen “shefa” edhe pse nuk kishin marrë as votat e anëtarëve të familjes së tyre. Andaj, për Avni Arifët dhe mjelësit e keqpërdoruesit ekstremë të dikurshëm të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, kjo Qeveri ka dështuar. Mirëpo, kjo Qeveri është më e suksesshmja në historinë e re të Kosovës, përkundër rrethanave tejet të vështira, për qytetarët e Kosovës, për institucionet kredibile evropiane dhe botërore dhe për partnerët strategjikë ndërkombëtar (të cilët nuk ka mundësi t’i takojë Avni Arifi dhe shokët e tij).”