Reagim/ Në emër të cilës UÇK flet Sabri Kiçmari?

27.07.2018 20:21:01

Nga Rexhep Kastrati

Në një shfaqje televizive që do të duhej të ishte në përputhje me një situatë mortore me rastin e vdekjes së Adem Demaçi, Sabri Kiçmari, jargavitej, fluturonte nga deliri dhe nga ngazëllimi duke folur për Adem Demaçin dhe kohën e luftës, për raportet e këtij të fundit me UÇK-në, dhe duke e vënë veten në pozitën e zëdhënësit, të apologjetit, por edhe të manipuluesit me të vërtetën.

S’do mend se kushdo që e ka parë këtë intervistë, nuk e ka pasur fare të vështirë të kuptojë se Sabri Kiçmari fliste si të ishte në dasmë, si të bëhej fjalë jo për vdekjen e Adem Demaçit, por për ndonjë vlerësim ndërkombëtar të tij.

Dhe në këtë kontekst, si zakonisht, nuk u la pa u shfrytëzuar kjo vdekje, për të lartësuar të tjerë në emër të UÇK-së, e që në fakt është asgjë tjetër, pos vazhdimësi e keqpërdorimit të emrit të saj, të sakrificës dhe të gjakut të derdhur, e filluar në kohë të luftës dhe pas saj.

Mirëpo, Sabri Kiçmari nuk sqaroi se në emër të cilës UÇK ka folur, pasi që ato që thoshte nuk përfshinin brenda pjesën më të madhe, më substanciale të UÇK-së, as vrasjet e shumë veprimtarëve, themeluesve të grupeve të para guerile dhe të linçimit të pjesës më të madhe të personaliteteve të grupeve ilegale marksist-leniniste.

Po ashtu, Sabri Kiçmari nuk kishte parasysh se në emër të UÇK-së, gjatë luftës, por edhe pas saj ka folur kush ka dashur dhe njëri i ka rënë thumbit e tjetri patkoit edhe në kontekst të opcioneve për statusin e Kosovës.

Është e tepërt të thuhet se sabri Kiçmari nuk ka folur në emër të brigadave dhe të gjithë luftëtarëve që luftën e bënë si pjesë e strukurave të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, pasi që ai nuk ishte ftuar dhe i autorizuar për këtë.

Sabri Kiçmari, po ashtu, nuk ka folur në emër të pjesës së LPK-së dhe të Ilegales në përgjithësi, e që gjatë luftës dhe pas saj kishin kundërshtuar që në emër të saj të dilte një parti politike, dhe që e mbrojtën qëndrimin për vazhdimësinë e LPK-së, edhe pse ka pasur edhe grupe të tjera ilegale. Ai, kështu, u mundua që të fshihte historinë e vërtetë, marksist-leniniste dhe që ka të bëjë me bëmat edhe komprometuese të LPK-së.

Prandaj, Sabri Kiçmari vazhdoi atë që ishte bërë që në kohë të luftës: heroizoi klanin e Rognerit, strukurat mafiozo-politike dhe gjithë fundërrinat tjera që emrin e UÇK-së e përdorën dhe e përdorin si mburojë për të mos u nxjerrë në sipërfaqe natyra dhe qëllimi i tyre i vërtetë: realizimi i interesave kundërshtetërore dhe kundërkombëtare në Kosovë.

Sikurse të tjerët, ndërkaq, edhe Sabri Kiçmari nuk ishte përditësuar dhe nuk kishte marrë parasysh faktin se gjatë viteve shumë aspekte të këqija të asaj që unë e kam quajtur linja e Tiranës/Kretës, dhe të tjera do të shpërfaqen, qofshin ato që kanë të bëjnë me krimin, me korrupsionin dhe me realizim të proceseve degraduese për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Së këndejmi, Sabri Kiçmari, si një gramafon i prishur kishte recituar apologji dhe hagjiografi të mjera për falsifikimin e historisë dhe për të lartësuar një periudhë që i hapi rrugë ndarjes së brendshme të Kosovës, me rrezikun që të bëhet edhe ndarje e jashtme saj.