Reagojnë deputetët për çmimin e lartë në Rrugën e Kombit

25.03.2018 19:55:51

Çmimi i lartë i taksës në Rrugën e Kombit, ka ngjallur debat në Kosovë.

Zyrtarë të Kosovës, kanë reaguar duke e cilësuar si çmim mjaft të lartë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Anton Berisha ka thënë se vënia e taksës në rrugën e Kombit është kundër integrimit ndër-shqiptar, si dhe interesave të vetë kombit, ndërsa më të goditur nga ky vendim janë qytetarët e Kosovës.

Thotë se ky vendim do ta dëmtojë edhe Shqipërinë.

Berisha, në një postim në Facebook, është shprehur se kjo tarifë e vendosur edhe ekonomikisht do të jetë kundër shtetit shqiptarë.

Lidhur me këtë edhe sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri ka reaguar për çmimin prej pesë eurosh të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për një drejtim, për këdo që kalon me veturë nëpër Rrugën e Kombit.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Beqiri këtë e ka quajtur si një vendim jo të mençur e të dëmshëm nga qeveria shqiptare,

Edhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli është shprehur kundër vendosjes së taksës për veturat që kalojnë nëpër Rrugën e Kombit.

Avdyli ka thënë se autoritetet e Shqipërisë duhet ta shqyrtojnë edhe një herë këtë çështje. Ai thotë se ideja për tarifën është e mirë, por vlera duhet të diskutohet edhe njëherë.

“Autostradat gjithkund paguhen, dhe është normale që do vinte dita kur edhe këto autostradat tona të kombit do të paguheshin si këto në Shqipëri e Kosovë. Derisa ne si Kosovarë ngado që udhëtojmë në rajon paguajmë për disa rrugë, por asnjëherë nuk u ankuam . Prandaj është më se normale që edhe tjerët të fillojnë të paguajnë për rrugët tona dhe ne të paguajmë në Shqipëri”, thotë Avdyli.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nisma, Zafir Berisha, taksën e vënë nga Qeveria e Shqipërisë për “Autostradën e Kombit” e ka cilësuar si të lartë.

Ai ka thënë se në lidhje me çmimin e vënë, Qeveria e Kosovës duhet të japë qëndrimin e saj.

“Për shkak të rrethanave social-ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri, taksa në tunelin e Kalimashit është e madhe”.

Ndryshe, për taksën e vendosur që nga sot janë ankuar gazetarë, profesorë e madje edhe politikanë.

Ish-kryeministri Sali Berisha, nën qeverisjen e të cilit edhe u ndërtua kjo rrugë, nuk u pajtua me këtë taksë, duke e quajtur si vjedhje.