Reagon ashpër Tërmkolli: BE dhe Lajçak përmes Kosovës po synojnë Serbinë e Madhe

17.10.2020 11:57:44

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka reaguar ndaj deklaratës së Miroslav Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, shkaku i Asociacionit.

Tërmkolli përmes një postimi në facebook tha Lajçaku duhet të kërkoj ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë dhe jo të Kosovës.

“Lajçak si edhe krejt BE janë vënë hapur në realizimin e interesave të Serbisë. Bisedimet Kosovë –Serbi po i shohin vetëm si mjet për Serbinë “edhe më të madhe”, deklaroi Tërmkolli

Postimi i plotë

Turr(n)i i Lajçak-ut!

Z. Lajçak në vend se të kërkojë nga Serbia që ta heqë nga Kushtetuta e saj Kosovën, ai nga Serbia na paska “qu” fjalë për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë!

Ka të drejtë! Kushtetutën duhet ta ndryshojmë për t’i bërë qytetarët serbë të Kosovës të barabartë me qytetarët tjerë sepse janë komuniteti më i favorizuar në botë. Serbëve dhe komuniteteve tjera pakicë duhet t’u hiqet e drejta për vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Duhet t’u hiqet edhe “e drejta” për ta bllokuar funksionimin e shtetit të Kosovës për shkak se kushtetuta ua njeh këtë të drejtë në votimin e ligjeve më vitale për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës. Edhe këtë pikë të Kushtetutës duhet ta ndryshojmë.

Duhet të ndryshohen ligjet e nivelit komunal me të cilat komunave me shumicës serbe u njihen të drejta shumë më të mëdha se komunave shqiptare.

Lajçak si edhe krejt BE janë vënë hapur në realizimin e interesave të Serbisë. Bisedimet Kosovë –Serbi po i shohin vetëm si mjet për Serbinë “edhe më të madhe”.

Lajçak, asnjë fjalë nuk e tha në Serbi kundër retorikës luf tënxitëse të Vuçiqit dhe kri mit të përsëritur të Daçiqit për fshehjen e vendndodhjes së të pagjetrve shqiptarë të masa kruar nga shteti serb i Vuçiqit dhe me pjesëmarrjen direkte të tij në këto politika.

Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë të qartë se nuk ka kurrfarë asociacioni për serbët, as me vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Thjesht, nuk ka asociacion.
Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes të shtuar se çfarë po bën në bisedimet në Bruksel sepse Lajçak me asnjë fjalë nuk foli për njohje reciproke. Prandaj ndaljani pak turrin z. Lajçak-ut!

Nuk kemi asnjë lloj ngutie në këto bisedime sa për të pranuar një poshtërim dhe nënçmim të tillë nga “Kryendihmësi” i bisedimeve z. Lajçak.