Reagon Brovina, mohon se fotografia e shfaqur sot ndërlidhet me krimet e kryera në Irak

16.05.2019 20:55:08

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka mohuar pretendimet se fotografia e gruas së dhunuar e cila u shfaq sot nga ajo, nuk është në Kosovë.

Brovina në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është e pavërtetë e gjithë ajo që është shfaqur.

“Fotoja është në Kosovë, ndërsa informatat tjera të gjitha janë rrenë. Edhe kur kanë thënë është nga Rahoveci është rrenë. Ata munden çdokund ta qesin atë foto sepse ka shërbime të ndryshime në Kosovë, dhe mediat po bien pre. Nuk më intereson hiç sepse është rren që po flitet për këtë informatë. Ajo nuk mund të identifikohet fare sepse unë ia kam mbuluar fytyrat dhe vendin e di vetëm unë”, ka thënë ajo.

Me një klikim në Google, Telegrafi ka kuptuar se fotografia që ka zbuluar Brovina, ngjall dyshimet se nuk ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë, por ndërlidhet me krimet e kryera në Irak.

Ndërkaq, lidhur me këtë pati reagime të ashpra nga deputetë, e nga shoqëria civile, të cilët e quajtën jo etike publikimin e fotografisë së viktimës të dhunës seksuale, e cila sipas Brovinës është gjallë.