Reagon EBU: Votimi në Kuvend për RTK-në kundër rekomandimeve të KE-së

05.02.2019 20:23:17

Pas votimit nga Kuvendi i Kosovës të amendamentit për RTK-në, ka reaguar sot edhe Unioni Evropian i Transmetuesve.

EBU shpreh shqetësim për pavarësinë institucionale dhe edtoriale të mediumit të vetëm publik të Kosovës nëse ky ligj miratohet edhe nga Presidenti i Kosovës. Ligji i ri për pagat në sektorin publik, sipas EBU-së, përfshinë punëtorët e RTK-së, në listën e të punësuarve e shtetëror dhe kjo bie ndesh më ligjin aktual të RTK-së dhe kushtetutën e cila garanton pavarësinë editoriale dhe institucionale të RTK-së.

Sipas Ligjit aktual të RTK-së, transmetuesi është i lirë të ndjekë politikën e burimeve njerëzore si pjesë e autonomisë së tij institucionale në një mënyrë të hapur, transparente dhe konkurruese. RTK, sipas EBU-së, është një institucion demokratik me një mision për t’i shërbyer të gjitha segmenteve në shoqëri dhe është me rëndësi vendimtare të sigurohet pavarësia institucionale dhe editoriale në përputhje me standardet evropiane dhe në veçanti me Rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi qeverisjen e transmetuesit publik.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të miratojnë Ligjin e ri për RTK-në, i cili do të sigurojë financim të qëndrueshëm, të pavarur dhe të parashikueshëm të transmetuesit dhe të sigurojë mbrojtje të mjaftueshme për autonominë institucionale dhe pavarësinë editoriale, duke përfshirë autonominë e saj në politikën e burimeve njerëzore. Transmetuesi i pavarur dhe i fuqishëm publik është një parakusht i rëndësishëm për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e EBB-së.