Real Madrid, 100 mln euro për “bomberin” e Serisë A

09.02.2017 21:43:59

Real Madrid aktualisht renditet i pari në La Liga me një pikë më shumë se Barcelona dhe me dy ndeshje më pak të luajtura. Kampionët e botës janë gjithashtu në garë për të fituar Ligën e Kampionëve. Megjithatë, së fundmi ekipi madrilen ka rënë dhe ka shfaqur jo pak probleme. Ansambli i yjeve , pavarësisht forcës ekonomike të klubit, në “Santiago Bernabeu” mund të jetë vetëm i ngjeshur. Kështu, gazeta spanjolle “Marca” parashikon dy goditje të përqendruara për merkaton e verës.

Real Madrid fillimisht do të “blindojë” portën. Drejtuesit kanë kontaktuar me Manchester United-in për të parë mundësinë e blerjes së David De Gea-s, por për këtë të fundit duhen të paktën 65 milionë euro. Nëse ky transferim dështon, atëherë hierarkia madrilene do të hedhë sytë nga Thibaut Courtois. 24-vjeçari ka edhe dy vite kontratë te Chelsea, por dëshiron të kthehet në Madrid, aty ku jeton e bija. Pas belgut, emri tjetër në listë është talenti i Milanit, Gianluigi Donnarumma. 17-vjeçari është një “hit” në Serie A.

Kalojmë te fronti i dytë delikat, sulmi. Duke cituar italianen “La Gazetta dello Sport”, “Marca” shkruan se Real Madrid ka interes për sulmuesin e Torinos, Andrea Belotti. 23-vjeçari këtë sezon ka shënuar 15 gola në 20 ndeshje të Serisë A. Klubi italian pretendon se ka refuzuar mbi 65 milionë euro nga Arsenali, duke e vlerësuar 100 milionë euro lojtarin. Ndërkohë, synim tjetër është Edin Dzeko i Romës, i cili sivjet e ka dërguar topin në rrjetë plot 22 herë. Pa frikë, vera e futbollit do të jetë e nxehtë. /telesport.al/