Reali ‘fundoset’ pa Ronaldon, Atl.Madrid është mbret i Europës

16.08.2018 00:02:48

Atletico Madrid është mbreti i ri i Europës, pasi ka mundur bindshëm, me rezultatin 4-2 rivalin historik, Real Madrid, kësaj here jo më në La Liga, por në një kompeticion europian. Një fitore që i ka dhuruar skuadrës Colchonero trofeun e Superkupës së Europës, për të nisur sezonin në mënyrë perfekte. Nga ana tjetër, Real Madrid, që për një pjesë të lojës krijoi iluzionin se mund të sundojë edhe pa Cristiano Ronaldon, në të vërtetë u shkatërrua e përul në këmbët e Atletico Madrid.

Pas tre trofeve radhazi të Champions League, Los Blancos kanë dështuar në misionin për të hipotekuar po aq trofe radhazi të Superkupës së Europës, pasi rivalët e tyre të Madridit kanë rrëmbyer trofeun në mënyrën më fantastike. Vinte në këtë finale të madhe si fitues i vogël i UEFA Europa League, por mbrëmjen e kësaj të mërkure, Atletico Madrid u shpall mbret i Europës. Galaktikët, sikurse dhe vetë trajneri Lopetegui kanë nisur në mënyrën më të keqe këtë sezon duke regjistruar një disfatë të rëndë. Nga ana tjetër, skuadra e Atletico Madrid, pa trajnerin e saj, Simeone, i dënuar të ndjekë ekipin nga tribuna VIP për shkak të skualifikimit, ka bërë magjinë, duke fituar një finale dramatike.

Ishin Colchoneros ata që kaluan të parët në avantazh, me Diego Costa, që ende pa nisur mirë loja, në të 1’ ka shkundur rrjetën e portës së Real Madrid, të mbrojtur nga Navas, pas një aksioni individual spektakolar. Sulmuesi ka fituar duelin e dyfishtë ndaj Varane dhe Sergio Ramos, për të dërguar topin në rrjetë nga një pozicion aspak i favorshëm për atë. Nuk ka vonuar reagimi i Los Blancos, të cilët janë spostuar në gjysmëfushën e Atleticos, duke shpërdoruar disa raste flagrante për gol.

Një takim ky me golin që vetëm sa është  shtyrë për pak minuta, pasi në të 27’ Real Madrid ka barazuar shifrat falë golit të Benzema, në një ditë perfekte, që ka dërguar në rrjetë topin e shërbyer nga Bale.

Real Madrid nuk mjaftohet me barazimin dhe vijon të dominojë në fazën ofensive, por pa saktësi në finalizim, teksa agresiviteti në sulm ka krijuar disa herë dobësi në fazën defensive, aty ku Diego Costa gjendet gjithmonë në përpjekje për të ndëshkuar fituesit e Champions League. Presioni i ushtruar nga skuadra e Lopeteguit është shpërblyer, kur në të 62’, Sergio Ramos ka shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar nga arbitri në favor të Real Madrid, për prekje të topit me dorë në zonë nga ana e Juanfran. Real Madrid përmbys gjithçka dhe kryeson në shifrat 2-1, por vetëm provizorisht.

Ishte minuta e 79’, kur njeriu i ndeshjes, Diego Costa ka prishur festën e Galaktikëve, duke shënuar golin e dytë personal, pas topit të shërbyer nga Correa, për të barazuar shifrat në 2-2. Golat, spektakli dhe emocionet nuk kanë munguar as në kohën shtesë, përkundrazi kanë qenë në dozë maksimale, por kësaj here me dominim total të Atletico Madrid.

Superioriteti i djemve të Simeones është materializuar në të 98’, kur Saul ka kaluar Atletico Madrid në avantazh për të dytën herë gjatë ndeshjes, me një gol spektakolar, Colchoneros kryesojnë sërish, 3-2. Nuk a përfunduar, tashmë Atletico i imponohet tërësisht Realit të zbërthyer në mënyrën më të shëmtuar në mbrojtje, dhe ia del qëllimit që të injorojë Galaktikët, duke thelluar epërsinë në 4-2 në minutën e 104’ me Koke. Përballë një Reali të dorëzuar, nuk kanë munguar rastet në favor të Atletico Madrid, por pa patur më gola.