“Rebelimi i femrës shqiptare fillon me kthimin te vetja”

24.12.2016 14:06:26

Me një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur në krijueset e para femra të postkomunizmit, Lindita Arapi gjithë arsyen krijuese, po ashtu dhe rebelimin e sheh në brendi, në veten e saj, si domethënie për t’ju përgjigjur ekzistencës, drejt pyetjes: kush jam unë. Përgjigja janë pesë vëllime poetike, dhe një roman “Vajza me çelës në qafë”, ku përballja me të kaluarën shfaqet në tri brezni grash

Intervistoi: Violeta Murati

Pas një intensiteti letrar në fillimvitet ’90, tani ju mbani një ekuilibër sa i takon masës në botim. Kur një shkrimtar vendos të tërhiqet, të kërkojë kohën? Keni një kusht paraprak që ju jep mundësinë për të shkruar?

 

Koha, ky është kushti paraprak. Koha merr një kuptim tjetër me kalimin e viteve, nganjëherë unë e quaj beteja për të fituar sadopak minuta për veten, janë këto minuta për veten që kthehen në minuta të çmuara, kur ke fëmijë për të edukuar e ushqyer, familje për të mbajtur e mirëmbajtur. Ka dy lloj tipologjish poetizuese për femrën që shkruan – ose ajo është intensivja, “e çmendura” që shërohet me fjalë, e papërshtatshme për jetën, sepse e jeton atë në krizë të përhershme, ose ajo është një “Lady” e blatuar, e latuar, e ngritur në fronin letrar sepse ashtu erdhën rrethanat. Mes këtyre dy profileve ekziston një ushtri e tërë femrash që shkruajnë, luftojnë, sakrifikojnë veten, sakrifikojnë për fëmijët, japin dashuri, marrin dashuri, marrin urrejtje, në këtë ndërkohë japin edhe libra. Disa nga këto vepra të fjalës mund të jenë të lexueshme, disa mahnitëse, disa jo. Është e thjeshtë, puna me fjalën është punë, nganjëherë ke aty pranë “frymën” e krijimit që e ngre lart fjalën, nganjëherë jo. Unë nuk idealizoj.

Domethënë një femër që shkruan është në kërkim të kohës…gjithmonë?

Po, je gjithmonë në kërkim të kohës, sepse është një luks në kushtet e përmendura më lart.

Jeni në poetet e para femra në postkomunizëm, kjo fjalë e fundit – pra, postkomunizëm, si ju tingëllon sot?

Të shkruaje në ato vite ishte një strategji shpëtimi ndaj izolimit që të mbante frymën. Te postkomunizëm që pyesni ju… në Shqipëri pati një periudhë komunizmi të egër kur themi periudhë pas komunizmit, “pas” mund të përdoret vetëm në kuptimin kohor, jo si përfundim epokash. Sepse vendi e ruajti traditën e elitave, elitat e vjetra kryenin të ashtuquajtur reformimin, dhe është absurd të mendosh, që ata që duhet të mbanin përgjegjësi, e fshehën me një lëkurë të re të shkuarën e morën përgjegjësi të reja. Shqipëria e sotme është fryti i dështuar i këtyre elitave të vjetra. Ato politike që kërkuan pushtet, pasurim, dhe për të ruajtur privilegjet e shtuar pasuritë arritën të degradojnë vendin në atë pikë që 26 vite pas rrëzimit të diktaturës flitet për dekriminalizim të politikës. Ky është turp historik.

Nga vëllimi i parë e deri te i fundit në mendjen e çdo krijuesi që veçohet nga të tjerët rri pezull pyetja: përse shkruaj. Përse shkruan Lindita Arapi?

Po ta thoja thjesht e në mënyrë prozaike, sepse nuk di të bëj gjë tjetër më mirë. Po të flisja me termat e artit, do të thoja se çdo artist, qoftë i fjalës, qoftë i penelit apo videoinstalacionit ka një veti, ai mban veshin te vetja, kjo besoj duhet të jetë e lindur, ndryshe nuk ka si të shpjegohet përhumbja në botën e brendshme, që është një lloj kërkimi në fakt, se kur them mban veshin te vetja, nuk e mendoj këtë si një qorrsokak, por si proces krijues që tenton në fund t’i flasë botës jashtë, t’i thotë diçka duke i dhënë një produkt. E për shkak se shumë artistë e shkrimtarë janë egomanë të pandreqshëm, shpesh ata mendojnë se produkti i tyre është më i miri. 

Ju vetë nuk mendoni kështu…

Unë e kam marrëdhënien të vështirë me letërsinë, shpesh kam faza që nuk e dua atë që bëj… kjo ndoshta vjen nga ndjesia e sakrifikimit por në kontekstin e pyetjes sate, përballë letërsisë së madhe, të krijuar ndër shekuj, përballë veprave të jashtëzakonshme që janë aq shumë, saqë do të mjaftonin për disa jetë për njerëzimin, mund të pyesësh pse duhet të shtoj edhe unë një? Kjo është një pyetje në fillim që mbetet në kokë deri në ditën e fundit të të shkruarit.

Letërsia juaj, poezia kryesisht ka shoqëruar jetën tënde, në përkimin me ikjen nga Shqipëria. Keni jetuar dhe vazhdoni në emigrim. Ky raport te ti, sidomos për gjuhën, si ka rezistuar?

Unë nuk jetoj në emigrim…ky është nocion që nuk ka vend në jetën time, pavarësisht se ai kategorizon shoqërinë. Unë jetoj në botë, jetoj në Europë, jetoj në Gjermani, jetoj edhe në Shqipëri, jetoj me shumë Shqipëri, jetoj brenda vetes, pra nuk e ngushtoj dot jetën brenda një kuadri –këtu apo atje. Unë jetoj gjithkund, e kjo nuk është pozë, por bindja ime, e ndoshta është një fenomen që prek më shumë ata që e kanë kapërcyer kufirin e vendlindjes e kanë shkelur botë të tjera.

Edhe njëherë desha të kthehem te marrëdhënia me gjuhën, si ndryshon ajo…

Edhe kjo është vazhdimësi e asaj që thashë më sipër, unë jetoj tani me disa gjuhë…gjuha shqipe është për mua si ajo vajza e brishtë e një familjeje, për të cilën gjithmonë tregohet kujdes i veçantë, sepse sëmuret më shpesh, pra kur je në një pozicion delikat, si shqipja në jetën time, ia jep vëmendjen posaçërisht. Më ka rënë në sy një fenomen, kur shkruaj disa ditë njëra pas tjetrës, futesh thellë brenda ishullit tënd gjuhësor, atëherë më janë zgjuar fjalë të vjetra, të kujtuara se ishin rrasur të harruara në periferi…kjo më ka habitur. Gjuha aktivizon vetveten. Por më duhet të shtoj se është një proces pune aktiv, pra nëse ti punon me gjuhën tënde në mënyrë të pavetëdijshme e përdor, mua më duhet të “shëtis” nga gjermanishtja te shqipja, pra jam shumë më e vetëdijshme në këtë punë me gjuhën.

Te poezia juaj femra është brishtësi, si nënë, si vajzë, si grua. Në dallim nga poete të tjera që rebelohen, e thyejnë tabu ju merreni me “dobësitë” e saj. Por, si gazetare, jeni përfshirë dhe në debate duke mbajtur qëndrim mbi seksizmin. Pse menduat se duhet ndërhyrë?

Nuk e di çfarë kupton kur thua “dobësi” –nëse e ke fjalën për ndjeshmërinë femërore. Rebelimi i parë për femrën shqiptare, që është një femër që e ka në gjenin e saj shtypjen –herë me dhunë e shpesh pa dhunë, sakrifikimin, dhurimin, nënshtrimin, është të merret me veten. Të pyesë veten kush jam unë. Sepse femra shqiptare nuk ekziston për veten, por për familjen, fëmijën, burrin, babanë. Prandaj në këtë kuptim duke shtruar këto pyetje, unë shoh edhe tek ajo brishtësia xixën e rebelimit.

Ja ku na shfaqeni dhe si prozatore, për herë të parë me romanin “Vajzat me çelës në qafë”, si një roman intensiv, një kërkim gjurmësh nëpër tri gjenerata femrash shqiptare dhe në një vend, në kërkim të lirisë së panjohur….

Unë në të vërtetë me atë roman desha të merrem me këtë histori shekullore sakrifikimi të femrës shqiptare. Se ç’do të thotë kjo për personalitetin e një vajze që rritet nën diktatin e të qenit e mbarë, e dëgjueshme, e shkëlqyer…hej është një “masakrim” shekullor herë i butë, herë agresiv ai që kanë përjetuar nënat tona e ne si gjeneratë. Julia Kristeva, filozofja e njohur që i kushtohet figurës së femrës përmend se personaliteti nuk krijohet dot kur mungon rebelimi. Nuk dua të them se femra shqiptare nuk ka personalitet, por ajo nuk ka pasur rebelim, se ndëshkohej. Ajo nuk ka fytyrën e saj në historinë e Shqipërisë…sepse ka qenë në hije, megjithëse në hije ajo ka mbajtur gjallë shpirtin shqiptar. Me durim, mençuri, gojëkyçur e sakrifikim.

Përmes një rrëfimi retrospektiv, përshkruan një kulturë, ku sundon “zakoni” si një “regjiment i heshtur”; ku fisi vlen më shumë se sa individi; dhe një burrë vlen më shumë se sa një grua. Ky vlerësim vjen nga një kritikë gjermane, prej së cilës na nxit dilema: A ishte një apel ky për t’u përballur me historinë? Pse ky vështrim, çfarë ka ndikuar?

Po kjo është tema që më ka preokupuar mua, se çfarë është femra shqiptare si tipologji, këtë e kam kuptuar vetëm kur kam pasur mundësinë të jetoj në një rreth tjetër kulturor. Vetëm kështu e kupton dallimin, nga distanca.

Vuajtja/ është asimetria/ në fytyrat simetrike të shqiptarëve të heshtur/ të cilët edhe pa i njohur/ më bien në sy që larg/ në njërin nga qytetet simetrikë të Evropës… A e mendoni ende Shqipërinë si një vend thellësisht të lënduar, pse?

Shqipëria jo vetëm është e lënduar, Shqipëria është e nëpërkëmbur nga politikanë që janë të aftë për të fyer personalisht njëri-tjetrin, por jo për të bërë punë në të mirë të vendit…unë shpresoj në ndryshime gjeneratash në politikën shqiptare.

Keni hartuar edhe një antologji me autorë shqiptar, me poezi shqiptare botuar në Austri, quajtur “Kapërcimi i kufijve”. Pse nuk po ndodh sipas jush njohja e letërsisë shqiptare, ashtu si do dëshironim?

Nuk ka për të pasur njohje ashtu siç e dëshirojmë ne, por raste të veçanta, rrezatimi kulturor i një qarku të vogël mbetet i vogël, ne mund të zemërohemi ose t’i ngremë lavdi vetes brenda provincës sonë të vogël- por nuk duhet të harrojmë se bota është e madhe, ka dimensione të tjera… unë nuk e shoh me pesimizëm, sepse mjaft autorë shqiptarë janë njohur e botuar. Ndoshta dikur do të shkëlqejë edhe ylli i Nobelit për të na dhënë neve si letërsi më shumë rrezatim.

*Ky shkrim u botua në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”