Recep Erdogan: Referendumi është për një Turqi më të fortë

04.03.2017 23:42:52

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbajtur sot një fjalim në një ceremoni të zhvilluar në qytetin Tekirdağ, me rastin e inaugurimit të disa projekteve njëkohësisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke vënë në dukje se më parë nuk mund të luftonin kundër terrorizmit pa marrë leje nga dikush tjetër, Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij tha: “Një vend të tillë kishim. Por sot kemi një Turqi e cila pa marrë lejen e askujt mund të zhvillojë operacione antiterror nga mali Xhudi, deri në Jerabulus, nga Gabar-i deri në Al-Bab, pa patur nevojën të marrë leje nga askush. Tashmë ka një Turqi e cila jep siguri mikut dhe frikë organizatave terroriste”.

“Lufta jonë do të vazhdojë deri sa të mbarojmë krejtësisht terrorin”

“Në një vit e gjysmë kemi neutralizuar më shumë se 3 mijë militantë të DEASH-it (ISIS) dhe 10 mijë militantë të PKK-së”, tha Erdoğan dhe më pas shtoi: “Gjetëm tek tek të gjithë militantët e FETO-s në institucionet e shtetit dhe ia dorëzuam ato autoriteteve të drejtësisë dhe po vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Nuk lamë pa marrë hakun e dëshmorëve tanë. Deri sa të përfundojë krejtësisht terrorizmin, lufta jonë do të vazhdojë”.

Ndërsa duke vënë në dukje se bota është në një proces të madh ndryshimi Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij shtoi: “Nëse do të na ikë nga duart ky proces ndryshimi, të paktën humbim gjysmë shekulli. Nuk mund të marr një përgjegjësi të tillë. Për këtë arsye kutitë që do të ngrihen më 16 prill janë shumë të rëndësishme. 16 prilli është zgjerimi dhe lehtësimi i rrugës për një Turqi më të fortë dhe një Turqi lider”.