Reçica i Nismës: Vetëvendosje kërcënuese, nuk e dinë çka është shteti dhe drejtësia

15.11.2019 18:45:30

Anëtari i kryesisë së Nismës, Skender Reçica, ka thënë se komunikata e LVV-së është kërcënim i drejtpërdrejt ndaj institucioneve të drejtësisë.

Reçica duke iu referuar komunikatës zyrtare të VV-së, ka thënë se ata më këtë deklaratë drejtpërdrejt kërcënojnë gjyqtarët dhe kjo, thotë ai, tregon se Vetëvendosje nuk e dinë çka është shteti dhe drejtësia.

“Ata mendojnë se shteti është parti. Çfarë shprese për ndryshim është kjo, kur ende pa marrë drejtimin e shtetit, frikëson e kërcënon shtetin ligjor. E ky është angazhim konkret në kapjen e shtetit”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Më tutje, thotë ai se është pikërisht, Vetëvendosje partia e fundit në Kosovë që mund të flet për pastërti elektorale, veçanërisht pas tentimit të turpshëm për të kontrabanduar pakot nga Serbia dhe për grabitur mandate.

Postimi i plotë i Reçicës:

Komunikata e LVV-së është kërcënim i drejtpërdrejtê ndaj institucioneve të drejtësisë. Thuhet se sulmi është mbrojtja më e mirë. Atë po e bënë edhe LVV-ja. Lëvizja Vetëvendose me këtë deklaratë drejtpërdrejtë kërcënon gjyqtarët dhe tregon se ata nuk e dinë çka është shteti dhe drejtësia. Veprimet e saja nuk kanë lidhje me demokracinë, ligjin dhe kushtetushmërinë. Ata mendojnë se shteti është parti apo partia është shteti! Çfarë shprese për ndryshim është kjo, kur ende pa marrë drejtimin e shtetit, frikëson e kërcënon shtetin ligjor. Ajo nuk po tregon sesi ndërtohet shteti i së drejtës, por si kapet shteti dhe institucionet e pavarura të tij. Pra ky është angazhim konkret në kapjen e shtetit! Pikërisht, Vetëvendosje është partia e fundit në Kosovë që mund të flasë për pastërti elektorale, veçanërisht pas tentimit të turpshëm për të kontrabanduar pakot nga Serbia dhe për të grabitur mandate.