Reflektim për 10 vjetorin e pavarësisë

17.02.2018 02:53:48

Nga: Thëllëzë Kastrati

Ju është dukur ndonjëherë pa kuptim emri juaj? Keni menduar si një njeri me vlera si unë të ketë një emër të tillë? Për më tepër, si mundën prindërit tuaj të emëronin me këtë emër fëmijën e tyre?

Nëse keni menduar kështu, a e shkruani me shkronjë të vogël emrin tuaj? Ose a do të donit që dikush ta shkruante me shkronjë të vogël atë?

Pavarësisht përgjigjeve tuaja në pyetjet e para, jam e sigurt që në dy pyetjet e fundit përgjigja do të jetë jo. Dhe me siguri si arsyetim do të përdorni rregullat drejtshkrimore. Edhe pse mund të mos jeni të përpiktë në zbatimin e tyre, ju do ta shkruani përsëri me të madhe emrin tuaj. Sepse emri juaj ju përfaqëson ju, edhe pse mund të mendoni se nuk do të gjendet emër më i keq se ai, respekti që keni për veten ju bën ta respektoni emrin tuaj. Ju gjithashtu kërkoni që të tjerët ta shkruajnë dhe ta shqiptojnë drejtë atë, të kenë respekt për të në fund të fundit ai ju përfaqëson ju.

Kjo është pikërisht pjesa te e cila doja të dilja, emri apo simbolet tjera, përfaqësojnë një njeri, grup njerëzish një send apo dukuri të caktuar, dhe nuk kanë vlera në vete, por bartin vlerat e asaj që përfaqësojnë. Me respektin ndaj simboleve, ne në të vërtetë respektojmë atë që ato simbole përfaqësojnë.

Në rastin tonë, flamuri i Kosovës, ai me hartën e Kosovës dhe disa yje sipër, mund të mos jetë një flamur i mirë, pra mund të mos ketë kuptim për ne dhe ajo që ne shohim në atë flamur mund të mos përfaqësoj atë që jemi apo të kaluarën tonë, por ai përfaqëson shtetin tonë, dhe si i tillë meriton respektin tonë.

Ndoshta tani do të thoshit se nuk doni një shtet të Kosovës, por bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe një flamur, dhe kjo do të ishte në rregull, por për momentin nuk kemi një zgjedhje të tillë edhe pse e duam. Nëse e mendojmë Kosovën si pjesë së Serbisë, me siguri do të donim që Kosova të ishte shtet i pavarur.

Ndoshta edhe do të thoni se në luftën në Kosovë shqiptarët kanë luftuar për flamurin kuq e zi, ky është flamuri që puthën heronjtë tanë, dhe të përfaqësohemi me një flamur tjetër sot ti humbim vlerat e luftës së tyre, por mendojeni edhe një herë. Në kohë lufte mund të ketë qenë akt patriotik ta puthësh flamurin, por në këtë kohë kur shteti ynë është ende në formim, zhvillimi i arsimit, shëndetësisë ekonomisë etj, janë aktet e vërteta patriotike. Jo flamuri, por shteti i pazhvilluar ia humbë me të vërtetë vlerat e luftës së tyre. Andaj në vend se të merremi aq shumë me vlerat e këtij flamuri, mund të krijojmë një shtet më të zhvilluar që ti jap flamurit vlera.

Prindërit tanë luftuan që fëmijët e tyre të kenë liri, pavarësisht se liria jonë u kushtoi me jetën e tyre, ndërsa ne duhet të luftojmë që fëmijëve tanë ti ofrojmë shëndetësi, drejtësi dhe arsim më cilësorë. Heronjtë e të sotmes mund të jenë ata që dje luftuan për liri, por ata që sot luftojnë për shëndetësi drejtësi dhe arsim më cilësor do të jenë heronjtë e së nesërmes./fokusi.org/