“Reforma” kërkon nga Rektorati arsyet për vonesën e objektit të Fakultetit të Bujqësisë

21.07.2018 12:31:59
Organizata Studentore “Reforma” para Rektoratit të UP-së ka mbajtur një aktivitet simbolik për të shprehur pakënaqësinë lidhur me ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Kryetari i organizatës “Reforma”, Leotrim Asllani, tha se arsyeja e mbajtjes së aktivitetit është pikërisht vonesa e ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që na ka shqetësuar neve kohëve të fundit është mospërfundimi i objektit, i cili ka filluar në vitin 2013. Në atë kohë, ish-ministri, Ramë Buja, pati theksuar se perspektiva e një shteti është bujqësia dhe veterinaria, mirëpo që të kemi një perspektivë më të mirë duhet të kemi kushte dhe studentët të kenë kushte më të mira dhe tani jemi në vitin 2018, plot 5 vite dhe ende nuk ka përfunduar ndërtimi i objektit”, tha Asllani.

“Ne kërkojmë nga MAShT që të na tregojnë më hollësisht se kur do të përfundojë ndërtimi i objektit dhe a janë mundësitë që objekti të fillojë punimet në fillim të muajit tetor kur fillon viti e ri akademik”, shtoi Asllani.

Nënkryetari i organizatës “Reforma”, Arben Elshani, tha se po kërkojnë përgjigje nga rektorati për arsyet e vonesës së përfundimit të objektit i cili ka filluar punën në vitin 2013.

“Ky aktivitet është në shenjë pakënaqësie për ndërtimin e objektit që ka fillu në korrik të vitit 2013 dhe ende nuk është përfunduar. Ne i kemi bërë disa pyetje publike rektorit të universitetit dhe e ftojmë të na mbajë të informuar për çdo zhvillim që ndodhë në Universitetin e Prishtinës dhe mos të ndodhë sikur kjo që kemi kërkuar të dimë më shumë informacione rreth këtij procesi dhe rrjedhjes së punës së objektit dhe pse janë ndalur këto punime”, tha Elshani.

“Shpresojmë nga 1 tetori studentët të mund ta shfrytëzojnë objektin e ri për kushte më të mira dhe të kenë mundësi për hapësirë më të mirë”, tha ai.