Regjistrimi i opozitës për 13 tetorin, dështon mbledhja në KQZ

03.08.2019 16:31:16

Ka dështuar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e thirrur pas kërkesës së disa prej partive opozitare për t’u regjistruar për zgjedhjet lokale të 13 tetorit, të dekretuara nga Presidenti i Republikës.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri ishte i vetmi i pranishëm dhe deklaroi se mbledhja nuk mund të nisë pa u arritur kuorumi i nevojshëm. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhje, ndërkohë që opozita nuk përfaqësohet në KQZ.

LSI, PR dhe PAA depozituan dje kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, pasi i njohin ato si të ligjshme, bazuar në dekretin e Ilir Metës. Ndërkohë, Partia Demokratike nuk ka marrë ende një vendim.