Rëndësia politiko-juridike, strategjike dhe aktuale e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990

02.07.2017 11:34:34

Nga Rexhep Kastrati

Deklarata Kushtetuese 2 Korrikut 1990 është dokumenti thelbësor që Kuvendi i Kosovës ka miratuar në kontekst të zhvillimeve të përgjithshme në ish-Jugosllavi, sepse është dokumenti që do të përcaktojë edhe bazën e angazhimeve të mëtutjeshme të Kosovës, edhe strategjinë për këto angazhime.

Në aspektin politiko-juridik, me Deklaratën e miratuar më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës anuloi ndryshimet kushtetuese që ia hoqën atributet shtetërore Kosovës, dhe që Kosovën e bënë një krahinë e thjeshtë e Serbisë, pa lidhjet e saj me federatën jugosllave. Po ashtu, me këtë Deklaratë, Kuvendi i Kosovës shpërfaqi edhe qëndrimin që do të mbajë Kosova lidhur me zhvillimet në ish-Jugosllavi, duke u deklaruar se Kosova do të jetë njësi e barabartë si të gjitha njësitë tjera të saj, në çfaërdo rregullimi që do të ketë: federatë apo konfederatë, pasi që ato diskutoheshin atë kohë, para se të fillonte shpërbërja e federatës jugsollave. Në kuptimin e përkufizimit jurdiko-kushtetues, me këtë Deklaratë, Kuvendi i Kosovës kishte vendosur që tash e tutje, Kosova të komunikonte vetëm me emërtimin Kosovë, pra as krahinë, as republikë. Dhe këtë emërtim e kishte përcaktuar edhe për të hedhë poshtë emrimtimin serb për Kosovën: Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë, edhe për të hapur rrugën për emërtimin e mëvonshëm: Republika e Kosovës, që do të bëhet më 7 shtator 1990, kur edhe do të miratohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, apo siç njihet, Kushtetuta e Kaçanikut.

Në aspektin strategjik, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut do të jetë baza mbi të cilën është bazuar edhe strategjia e angazhimeve të lëvizjes liri, pavarësi, demokraci, e që kishte parasysh faktin se edhe çështja e statusit të Kosovës është çështje që do të zgjidhej në bazë të procesit të pozitës dhe zhvillimeve në ish-Jugosllavi, pra nga ajo se çka do të ndodhte me të. Dhe në këtë kontekst, do të përcaktohet, ashtu siç ishte në Deklaratën e 2 Korrikut 1990, nëse do të ruhet Jugosllavia, Kosova do të ishte e barabartë me njësitë tjera qoftë në formën federale, qoftë në formën konfederale; nëse do të shpërbëhej Jugosllavia, Kosova do të ishte shtet i pavarur, kurse shqiptarët në territoret e tyre në Maqedoni dhe në Kosovë lindore do të kenë autonomi-politiko-territoriale, e shqiptarët në Mal të Zi – status special, e nëse do të ketë ndryshim të kufijve të shteteve të dala nga ajo, Kosva dhe shqiptarët do të bashkoheshin me shtetin shqiptar. Dhe në përputhje me këtë strategji, Kosova do ta shpallë pavarësinë, shqiptarët në pjesët tjera do të mbajnë referendume për autonomi politiko-territoriale.

Pesha jurdiko-kushtetuese dhe politiko-strategjike e Deklaratës Kushtetuese e 2Korrikut 1990 ishte e madhe dhe kishte edhe refelektime të gjera edhe në diplomacinë ndërkombëtare të fokusuar në procesin e ridefinimit apo edhe të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe si e tillë do të jetë e paanashkalueshme në të gjitha variantet që diskutoheshin. Kjo shprehej edhe me faktin, se edhe diploamcia ndërkombëtare, sikurse Kuvendi i Kosovës, nuk do të njohë ndryshimet kushtetuese të vitit 1989.

Rëndësia e Deklaratës së 2 Korrikut 1990 nuk është vetëm në kontekstin jurdiko-kushtetues dhe politiko-strategjik, pra në sfodnin socio-historik, por edhe aktual, pasi që procesi i filluar me atë deklaratë tash është në fazën përfundimtare, pra në fazën kur po mëtohet të ndryshohen kufijtë e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, dhe kur Serbia e Kroacia po synojnë ndarjen e Bosnës, kurse Serbia dhe aleatët e saj, duan ta ndajnë Kosovën dhe Maqedoninë. Pra, rëndësia e kësaj Deklarate qëndron në anticipimin strategjik të gjithë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe është bazë për të përfunduar këtë proces në të mirë të shqiptarëve e jo në dëm të tyre. Dhe mesazhi që përcjell kjo Deklaratë për kontesktin aktual është: Kosova të ndjekë rrugën që do të trasojnë të tjerët që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Kjo do të thotë që Kosova duhet të pasojë veprimet e serbëve dhe të kroatëve në Bosnjë që të ndërmarrë hapa të tjerë, e që janë hapa që do të reflektojnë qoftë realitetet e krijuara pastaj, qoftë edhe vullnetin e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Me shpërbërjen e Bosnjës, do të bijnë poshtë parimet e Badinterit, do të bijnë poshtë parimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën, dhe do të bjerë poshtë edhe rregullimi jurdiko-kushtetues i Kosovës në bazë të Pakos së Ahtisarit, dhe si shtet sovran do të ndërmarrë hapa të tjerë në përputhje me zhvillimet që do të ndodhin. Pra, sipas mesazhit që prëcjellë Deklarata Kushtetuese e ” Korrikut 1990, Kosova nuk duhet t’u paraprijë procesve për ndryshim kuffijsh, por duhet t’i ndjekë ato, siç ka bërë me gjthë procesin e pasuar që nga ajo Deklaratë, e jo siç ka tendenca që pikërisht Kosova, apo shqiptarët në territoret e tyre në Maqedoni, të paraprijnë këto procese.