Reshitaj: 2018-ta, vit i pastrimit dhe gjelbërimit të Kosovës (Foto)

15.02.2018 16:37:15

Për nderë të Përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, bashkë me zv/ ministrin e Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma e shumë vullnetarë të Let’s Do It Kosova, realizuan një aktivitet pastrimi në zonën kufitare në Han të Elezit, tek pllaka përkujtore “Eksodi 99”.

Ministrja Reshitaj këtë aksion e filloi me pastrimin e pllakës që kishte mbuluar pluhuri, duke vlerësuar se kjo pllakë është dëshmi e shpërnguljeve, vuajtjeve e torturave që kanë përjetuar shqiptarët në luftën e fundit.

“Kemi filluar me pastrimin e zonave kufitare si imazhi i parë i shtetit tonë, për të vazhduar kështu në tërë Kosovën, duke pastruar e mbjellur me mijëra drunj e duke krijuar zona të gjelbra për Kosovën e pastër që duam. Pra ky është viti i pastrimit dhe gjelbrimit të Kosovës”, deklaroi ministrja Reshitaj.

Në kuadër të këtij aktiviteti u bë edhe vendosja e shportave në këtë zonë si dhe pllaka me thirrje për mbrojtjen e mjedisit.

Aktivitetet e ministrisë në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, përfshirë pastrimin e zonës kufitare në Merdarë.