Reshitaj në Vietnam, takon presidenten e Ishujve Marshall dhe atë të Guajanës

29.06.2018 18:31:59

Në kuadër të Asamblesë së 6-të të Fondit Global të Mjedisit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, ka realizuar takime të ndara me presidenten e Ishujve Marshall,​ Hilda Heine dhe me presidentin e Guajanës , David Granger, të cilët i falënderoi për njohjen dhe përkrahjen që po i japin Kosovës.
Në takim me presidenten e Ishujve Marshall, Hilda Heine, si organizatore e konferencës së ardhshme për ndryshimet klimatike dhe rolit të saj të rëndësishëm në GEF, ministrja Reshitaj mori përkrahje nga presidentja Heine në mënyrë që edhe Kosova të ketë çasje në Fondin e Gjelbër për Klimën (Green Climate Fund).

Presidentja Heine njoftoi ministren Reshitaj për krijimin e forumit të grave brenda Fondit Global të Mjedisit, i cili do të bashkojë shumë lidere nga e gjithë bota, me qëllim avancimin e rolit të grave në vendimmarrje si dhe u zotua që do të bëjë përpjekje, që edhe ministrja Reshitaj të jetë pjesë e këtij forumi.

Ministrja Reshitaj e presidentja Heine u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe në shkëmbimin e eksperiencave në disa sfida të përbashkëta, si problemi i erozionit e vërshimeve, ngrohja globale, ndotja e ajrit, mbeturinat dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Ndërkaq në takimin që pati me presidentin e Guajanës , David Granger, Reshitaj prezantoi aspiratat e Kosovës për integrim në bashkësinë ndërkombëtare dhe rritjen e bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve mjedisore globale.

Nga ana tjetër, presidenti i Guajanës ofroi përkrahjen e shtetit për Kosovën në mënyrë që shteti ynë të ketë çasje në fondet e GEF-it dhe të jetë pjesë e nismave globale për mjedisin.