Retorika e luftës Thaçi-Vuçiq dhe Beteja e Koshares

09.04.2018 20:29:10

Nga rexhep Kastrati

Nuk është hera e parë sot që ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ka pasur shpërfaqje të retorikës së luftës, por kjo e sotmja është ndërlidhur me Betejën e Koshares, e cila sot ka pasur 19 vejtortorin e zhvillimit të saj.

Në fakt, 19 vjet më parë, Hashim Thaçi mund të ketë pasur një qasje tjetër ndaj Betejës së Koshares, mohuese dhe denigruese, kurse vite më vonë, e jo vet, këtë vit, po bën përpjekje titanike për ta përvetësuar.

Veçantia e retorikës së luftës së ditës së sotme, ndërkaq, ka po ato indikacione dhe qëllime që kanë pasur dikur, e që kanë të bëjnë me simbolikën e kundërt me të Betejës së Koshares: ndarjes e Kosovës mbi baza etnike si bazë qoftë për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, qoftë edhe për realizimin e skenarëve ukrainas.

Hashim Thaçi e ka vrarë simbolikën e Betejës së Koshares qysh më 1999 kur ishte takuar me Momçilo Trajkoviqin dhe popin Artemije dhe kur Bajram Rexhepi ishte takuar me Oliver Ivanoviqin, dhe kishte legjitimuar ndarjen e bërë gjatë dhe menjëherë pas luftës.

Simbolika e Betejës së Koshares, si betejë e çlirimit, e fitores dhe e mposhtjes së forcave serbe, por edhe simbolika e rrënimit të simbolikës së ndarjes, në veri të Kosovës kishte marrë goditje, pasi që aty ishte realizuar ndarja, e cila po vazhdon edhe sot e gjithë ditën.

Për ndarjen është biseduar edhe në takime sekrete që Thaçi e Vuçiq kanë pasur, por për ndarje është duke u punuar çdo ditë, dhe në këtë funksion kanë edhe retorikën e tyre të luftës.

Retorika e luftës është retorikë që i leverdis vetëm Beogradit, Moskës dhe aleatëve të tyre, por jo Kosovës dhe shqiptarëve, Kjo retorikë që nga pala serbe ka qenë e herëpasheshme dhe e shtuar gjatë viteve të fundit, është retorika që krijon një tension medietik dhe psikologjik, që më tej shndërrohet në një tension social e politik që krijon një ambient për destabilizimin dhe nxitjen e luftimeve qofshin ato edhe sporadike, qofshin ato edhe lokale.

Serbia është e interesuar që të krijohet një ambient psikologjik, social e politik për destabilizim, kurse retorika e luftës e Hashim Thaçit dhe e të tjerëve nga skena politike në Kosovë, sikur legjitimon dhe ndihmon që retorika e luftës e Serbisë që shpërfaqet nga Vulin, Gjuriq, Vuçiq etj., të fitojë legjitimitet apo edhe të shpërndajë përgjegjësinë për këtë.

Duket se Hashim Thaçi dhe Vuçiq po luajnë në vazhdimësi lojën e ping-pongut politik me njëri-tjetrin, duke e kombinuar me takime sekrete, pra edhe me marrëveshje sekrete, dhe me retorika lufte, tërë këto në funksion të krijimit të rrethanave për imponimin e një “Republika Srpska” apo edhe ndonjë skenar ukrainas.

Dhe kjo bëhet më e dukshme sa më shumë që po kalon koha dhe sa më shumë që po i afrohemi një afati kohor për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënive e Kosovë – Serbi, pra më 2019.

Është kështu për faktin se sa më shumë po kalon koha, aq më shumë po dinamizohet aksioni politik në terren, por edhe ndërmjet Hashim Thaçit dhe Vuçiqit, në funksion të marrëveshjeve të tyre të fshehta.

Dhe të gjitha këto janë në kundërshtim të plotë me simbolikën e Betejsë së Koshares, dhe shpërfaqja e retorikës së luftës në kontekst të kësaj beteje, është edhe një shpërdorim i mundësisë për t’u shpçrehur dhe i pozicionit shtetëror të palëve.

Beteja e Koshares është kosnderuar si ferr nga serbët dhe Serbia, pasi që aty kanë pësuar humbjen më të rëndë nga forcat ushtarake shqiptare.