Rexha: Qëndrimi i Francës me argumente kundër liberalizmit të vizave i padrejtë

30.04.2019 23:33:04

Qëndrimi i Francës me argumente kundër liberalizmit të vizave nuk është i drejtë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në dobësimin e kredibilitetit të politikës së kondicionalitetit (EU conditionality) që Bashkimi Evropian (BE) e përdor si mekanizmin kryesor për të shtyrë përpara ndryshimet të cilat parashihen si pjesë e procesit të integrimit.

Kështu ka vlerësuar për Telegrafin, Albana Rexha, hulumtuese e lartë dhe njohëse e procesit të Integrimit, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ku tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha reformat dhe kërkesat që kanë dal nga udhëzuesi (roadmap-i) për viza.

Sipas saj, Kosova automatikisht është dashur të kualifikohet si shtet brenda regjimit të lirë të vizave.

“Por, siç duket kjo tashmë nuk ka të bëj më me kriteret teknike, por ka kaluar në nivelin politik të vendimmarrjes në të cilën tani për arsye politike Kosova nuk përkrahet, siç është rasti me Francën e cila ndjen frikë se me përkrahjen e liberalizmit të vizave për Kosovën partitë e krahut të djathtë, mund të fitojnë më shumë vota”, ka thënë Rexha.

Ajo theksoi se kjo situatë dhe qëndrimi i Francës është zhgënjyes jo vetëm për institucionet, por për qytetarët e vendit të cilët edhe mund të fillojnë të humbin besimin në institucionet e BE-së.

“Edhe pse nuk kemi një sondazh të fundit për të parë këto ndryshime në pikëpamje dhe besime, por vlerësoj se nëse kjo situatë vazhdon atëherë besimi i qytetarëve ndaj institucioneve qendrore të BE-së do të zvogëlohet në mënyrë progresive”, u shpreh ajo.

Rexha potencoi se ka dobësim të kredibilitetit të politikës së kondicionalitetit e cila sic tja ajo e zbeh edhe rolin e BE-së në reforma të ndryshme të ndërlidhura me qeverisjen e mirë në vend.

“Pra, do të zbehen incentivat dhe besimi tek BE-ja nga ana e institucioneve të Kosovës, në kuptimin që nëse ato ndërmarrin reforma të caktuara ato vështirë se do të shpërblehen pastaj nga ana e BE-së, kurse në anën tjetër në shumë raste kur kemi të bëjmë me reforma që hyjnë në kategorinë e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, BE-ja është incentiva dhe presioni kryesor për ndryshim që vjen nga lart ndaj institucioneve në vend. Këto pra janë arsyet që paraqesin rrezik në kontekst të vonesës apo (mos) implementimit të reformave që derivojnë nga korniza të ndryshme politike të nënshkruara në mes të Kosovës dhe BE-së”, tha ajo.

Rexha shpreson se Franca shumë shpejtë duhet të reflektojë mbi qëndrimin e saj dhe të ndryshoj qasje ndaj Kosovës.

“Duhet të lejë anash arsyet politike dhe të jap vlerësimin meritor ndaj Kosovës duke përkrah atë për liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP).

Ndërkaq, për delegacionin kosovar kishte qenë zhgënjyes këmbëngulja e Francës për të mos liberalizuar regjimin e vizave ndaj Kosovës. Thaçi e shprehu këtë zhgënjim edhe para gazetarëve: “Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, deklaroi Thaçi.

Ndryshe, sipas burimeve të DË nga pjesëmarrës në takim, presidenti i Francës Emmanuel Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i migrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende.