Rexhep Hoti a po flet në emër të PDK-së, apo në emër të Hashim Thaçit?

13.12.2016 21:41:47

Nga Rexhep Kastrati

Dikur dilte një gazetë ditore “infopress”, e cila kishte çmimin 10 centë, që ishte nën çmimin që zakonisht shtypeshin gazetat. Thuhej se e financonte ajo apo kjo kompani publike. Dhe bënte borinë propagandistike të linjës së Tiranës/Kretës. Në krye të saj ishte Rexhep Hoti. Por edhe kjo, sikurse edhe “Gazeta e re”, u ndalën se nuk i blinte kush. Pra, edhe pse 10 centë, kundruall të tjerave nga 20 deri në 40 centë apo edhe 50 centë, kush nuk e blinte gazetën e Rexhep Hotit. Dështimi i gazetës së Rexhep Hotit, në fakt ishte dështim i përpjekjeve të tij për të kontribuar medietikisht për jaranin apo shefin e tij, Hashim Thaçin, e të cilat ishin përpjekje të dobëta, dhe me një frymë të një agjitpropit pararendës. Dhe pasi dështoi në medie, Rexhep Hoti nuk u bë më pak jaran apo vartës i Hashimit, por ndërroi pozicion: tashmë ishte bërë këshilltar i tij. Por kurrë nuk e mora vesh se a u bë këshilltar për qengjave të pjekur, apo këshilltar për çështje politike, sepse nuk di se çka do të mund ta këshillonte politikisht Hashimin, kur ai ishte treguar i dobët dhe dështak në realizimin e një fushate medeitike pro tij. Për qengja të pjekur ndoshta po, se helbete nuk ia kanë lënë mangut fundjavëve në fshatin e tij – Krushë e Madhe. Mirëpo, se Hashimi megjithatë llogariste në Rexhep Hotin, u pa ditën kur u zgjodh Kadri Veseli kryetar i PDK-së. Dhe që atëherë, Rexhep Hoti shpesh ka shfaqur qëndrime impersonale, përkatësisht qëdrime edhe në emër të PDK-së. Dhe e fundit ishte kjo për murin, kur u mundua me zor të bëhej zëdhënës i saj, duke folur në emër të saj. Dhe ajo që tha ishte vërtet një budallaki tipike, pasi që nëse dikush ka përgjegjësi për ndarjen etnike të Kosovës qysh më 1999, është linja e Tiranës/Kretës në krye me Hashim Thaçin. Dhe të gjitha këto janë aq të qarta dhe aq të kthjellta për secilin qytetar të Kosovës, sa që vërtet është joserioze të mundohesh të heqësh përgjegjësinë e kësaj linje në krye me Hashim Thaçin. Aq më pak këtë mund ta bëjë Rexhep Hoti, i cili në emër të PDK-së mundohet të flasë si përfaqësues i Hashim Thaçit, kundrejt pjesës tjetër që mund të flasë në emër të Kadri Veselit. Së këndejmi, përpjekja e Rexhep Hotit për t’u bërë zëdhënës i PDK-së, më shumë mund të kuptohet si përpjekje e hashim Thaçit për të ruajtur kontrollin mbi PDK-në, sesa një qëndrim zyrtar të saj. Përndryshe, minsitraj që është e përcaktuar institucionalisht për negociatat, pra edhe për ndonjë marrëveshje të fshehtë për murin, nuk është ministre nga radhët e LDK-së, por nga radhët e PDK-së. Prandaj, hesapet e brendshme dhe dëmet e mëdha që Kosovës ia kanë bërë që nga viti 1999 e këndej, nuk mund të mbulohen me fjalë të mëdha dhe pseudopatriotike, por me reflektim dhe me pranim të përgjegjësisë për të gjitha ato që kanë bërë deri më tash. Realiteti socio-politik dhe politiko-institucional në Kosovë që nha lufta e këndej është shquar nga retorika të forta pseudopatriotike dhe me vepra shumë të dëmshme për Kosovën  nga ata që shpërfaqnin retorika të tilla pseudopatriotike. Nga kjo nuk po mund të lirohet dot as PDK, as pjesa tjetër e linjës së Tiranës/Kretës, pra as dështaku i medieve që me zor po synon të bëhet zëdhënës i PDK-së.