Rexhep Kastrati ambasadorit Delawie: Ambasador, Kosova pret shpëtimin nga SHBA-të! Shpëtojenie!

24.01.2018 14:42:51

 

Ambasador, Ju dhe Shteti që përfaqësoni keni simpatinë dhe respektin e madh të popullit shqiptar! SHBA-të, për shqiptarët janë Besimi, janë Shpresa dhe Frymëzimi kryesor në këtë planet! Kështu është që kur SHBA-të dhe presidenti Wodrow Wilson shpëtuan shtetin shqiptar nga copëtimi përfundimtar. Ndërmjet shqiptarëve dhe SHBA-ve është një Aleancë, një Marrëdhënie e veçantë që tejkalon përmasat dhe konotacionet që mund të shpjegohen me fjalë.

Edhe në një kontekst krahasues ndërmjet klasës politike shqiptare dhe SHBA-ve, shqiptarët u besojnë SHBA-ve, sepse klasa politike shqiptare ka plot horra, injorantë dhe rekrutë të agjenturave kundërshqiptare dhe kundëramerikane. Kjo klasë politike nuk e ka as dijen, as vullnetin dhe as mundësitë për të marrë vendime të mëdha dhe në përputhje me interesat strategjike dhe në përputhje me pozitën gjeopolitike e gjeostrategjike euro-atlantike. Kjo klasë politike, e ndihmuar edhe nga një korpus medietik kanë komprometuar më parë konceptin e luftës çlirimtare, kanë komprometuar vlerat thelbësore të një shoqërie të lirë dhe demokratike, e gjatë viteve kanë komprometuar edhe konceptin e një lëvizje kundërshtuese qytetare.

Ambasador, kjo klasë politike ka komprometuar dhe ka keqpërdorë solidaritetin dhe dhimbjen kolektive për viktimat e luftës që varroseshin dhe rivarroseshin me tubime politike-elektorale, kanë komprometuar protestën qytetare, sepse kjo është përdorë për të përmbysur pushtete dhe për të sjellë në pushtet, është përdorë për të goditur Shtetin dhe institucionet e tij. Kjo klasë politike nuk ka më as besueshmërinë dhe legjitimitetin më të vogël për të ftuar qytetarët në protesta kundër angazhimeve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Për shkak të korruptimit të saj të nivelit të lartë, për shkak të instalimit të mendësisë korruptive në shoqëri, fatkeqësisht, shoqëria jonë ka humbur besimin se me protesta, me padëgjueshmëri qytetare dhe me forma të tjera civile të kundërshtimit mund të bëjë ndryshimin e madh. Në fund të fundit, nuk po sheh alternativë, nuk di kujt t’i besojë dhe kë të ndjekë. I vetmi besim që shoqëria jonë ka, është besimi te SHBA-të dhe po pret që SHBA-të të veprojnë dhe ta shpëtojnë dhe ta çlirojnë nga kjo klasë politike!

Prandaj, Ambasador, veproni, shpëtojenie Kosovën, shpëtojenie popullin e saj! Ndihmoni që njerëz të dëshmuar, njerëz që kanë dijen dhe vullnetin për të udhëhequr popullin, të kenë hapësirën dhe mundësinë e duhur për të ndërtuar një shtet funksional dhe demokratik!