Rexhep Kastrati: Dy fjalë familjarëve të të vrarëve politikë: Maturi, kujdes dhe syçeltësi!

12.01.2018 14:16:43

Të nderuar familjarë të të vrarëve politikë, një nga qëllimet kryesore pse u vranë familjarët tuaj, ka pasur të bëjë me polarizimin politik të shoqërisë sonë drejt një lufte civile. Këtë e kam thënë edhe në kohën kur ndodhnin vrasjet, e që siç e dini i kam dencuar ashpër, por e kam thënë në vazhdimësi deri më tash. Për pasojë më kanë kërcënuar, më kanë sulmuar me bomba, kanë bërë luftë speciale kundër meje dhe familjes sime, duke rrezikuar madje edhe ekzistencën biologjike të fëmijëve të mi. Gjithë këto bëheshin dhe bëhen si hakmarrje për angazhimet medietike kundër dhunës dhe vrasjeve politike. Mirëpo, më e rëndë ishte kur veglat kondomë brenda e rreth LDK-së, edhe në kohën e presidentit Rugova, dilnin të përfshirë në forma të ndryshme në vrasje politike, të tjerë përfitonin nga këto vrasje, dhe bënin e bëjnë gjithçka që të luftoheshin të gjithë ata që angazhoheshin dhe angazhohen për zbardhjen e këtyre vrasjeve, edhe nga frika se e vërteta e plotë do t’i nxirrte edhe ata. E dita e djeshme dëshmoi se strukturat mafiozo-politike dhe veglat e tyre kondomë vazhdojnë të jenë bashkë në një projekt për të prishur rastet, për të rrezikuar njerëz të tjerë, dhe për të nxitur një polarizim politik dhe drejt një konflikti social, edhe të tipit kanunor, e që do të rrënonte për fare çështjen e vrasjeve politike. Edhe pse dje dështuan, megjithatë duhet marrë vetëm si test sesa do të funksionojë kjo mënyrë e prishjes së rasteve. Gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim do të ketë përpjekje më intensive për të polarizuar shoqërinë dhe për të nxitur hakmarrje kanunore si mënyrë për prishjen e çështjes së vrasjeve politike. Prandaj, ju ftoj sërish për maturi dhe për bashkëveprim të kujdesshëm, në ç’drejtim siguroj vendosmërinë time të plotë për angazhim të fortë edhe kundër strukturave mafiozo-politike, edhe kundër veglave të tyre kondomë!