Rexhep Qosja, lartëson Edi Ramën që injoron Kosovën? Si nuk të vjen turp nga Asdreni?

21.10.2016 11:45:00

Nga Rexhep Kastrati

Rexhep Qosja, nga zgafella e mjerimit të tij politik, paska lëshuar grimasa dhe qenka çjerrë në mbrojtje të Edi Ramës, përkatësisht në lartësimin e veprimeve të tij që veç kombëtare nuk mund të jenë. Dhe për ta bërë këtë, ai kapet për do mjeranë që ngatërrojnë sjelljen e Edi Ramës me të ashtuquajturin komb kosovar, duke dëshmuar kështu se marrëzirat për të ashtuquajturin komb kosovar po përdoren për të mbuluar gjithë angazhimet kundërkombëtare që po bëhen. Në fakt, janë po aq kombëtare sa marrëzirat për të ashtuquajturin komb kosovar, aq edhe përpjekjet për të mbuluar dhe mbrojtur veprimet e mbrpashta dhe kundërkombëtare të Edi Ramës në dëm të Kosovës dhe të shqiptarëve. Dhe kur vihet në mbrojtje të veprimeve të tilla edhe Rexhep Qosja, i cili ka doktoruar me veprën e Aleks Stavri Drenovës  Asdrenit, atëherë shtrohet pyetja: si nuk i rri në besë studimit të tij për këtë rilindas të madh? Dhe është pikërisht Aleks Stavri Drenova – Asdreni, i cili më shumë se njëqind vjet më parë kishte shkruar një ndër hymnet me të mëdhenj për Kosovën, një ndër kushtrimet më të zjarrta, dhe një ndër ditirambet më të lartësuara për të. Bëhet fjalë për vjershën e gjatë të titulluar “Kosovës”, e cila për dekada ka qenë e ndaluar nga regjimi i Enver Hoxhës, e së këndejmi edhe nga regjimi jugosllav. Në këtë poezi, Aleks Stavri Drenova – Asdreni e quan Kosovën “vend i famshëm i triminis”, “lule e bukur e Shqpinis”, “atdhe i lavduem i burrnis”, “mbretnesha e Rumelisë”, dhe mbas gjithë këtyre epiteteve dhe lavdërimeve, thotë se “teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija”. Pra, Aleks Stavri Drenova – Asdreni, jo që nuk e ka injoruar, jo që nuk e ka nënvlerësuar, por e ka quajtur vendin në të cilin ka shpresë Shqipëria. Dhe me këtë, nuk ka thënë asgjë romantike, as hiperbolizuese, por ka thënë një të vërtetë, sepse vërtet Kosova ka bërë shumë për pavarësinë shqiptare, mu ashtu siç e ka thënë edhe Aleks Stavri Drenova – Asdreni në këtë vjerhsë të gjatë. Dhe çohet Rexhep Qosja, i cili së paku do të duhej të skuqej para punimit të tij shkencor për Asrenin, me të cilën ka marr gardën doktor i shkencave, dhe bën të kundërtën: lartëson ata që e nënçmojnë, e injorojnë dhe ia ngulin thikën mbas shpine Kosovës. Nuk di a e ka lexuar fare këtë vjershë, dhe nëse e ka lexuar, atëherë do të duhej të skuqej edhe më tepër. Prandaj, po e sjelli të plotë, edhe për vetë Rexhep Qosjen, edhe për të gjithë lexuesit, në mënyrë që të kuptohet nga të gjithë se nuk ka vend as për ata që thonë marrëzira për të ashtuquajturin komb kosovar, sepse Kosova ishte dhe ka mbetur “lule e bukur e Shqipnis”, por as për ata që e injorojnë dhe e nënçmojnë, sepse është “vend i famëshëm i trimnis”, “atdhe i lavduem i burrnis”, edhe pse njerëzit si Rexhep Qosja dhe soji i tij nuk kanë treguar një trohë burrëri karshi saj.

 

Kosovës*

 

Kosovë, o vend’i famshëm i trimnis

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Ti bjeshkat plot vjollca reth i ke

Si vashë e virgjën; nuse sikur je;

 

Dhe malet me boor

Mi krye i ke kunoor!

 

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrniis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumeliis!

Nalt mbaje kryet t’ând si gjithëmoon

Difto-u e zonja; koha sot e don

 

Ti t’ çohesh përsëri

N’ luftë t’ mbarë për liri!

 

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burrat ti q’i leen, t’gjetë si selvia,

Sokola mali, shoq në bot’që s’kanë

S’i luâj e si dragoj plot forcë që janë,

 

Që e derdhin gjakun prrue

Atdhen për m’e pshtue!

 

Ke bij që s’kan drojë asnji pikë

As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë

Anmikut kur u sulen me rrptëeii

Si breshni mi tê hidhen me duhii

 

Sa bije e krye s’ngre

Po eshnat atdheu i le’.

 

Gra e vasha ke, si zâna sy-mëdha

Trimnesha, qi Shipnia din m’i ba

Qi rrokin armët në luftë me gaz tuj shkue

Ja se me mend, ja se me dek un tuj luftue!

 

Për ndeer të shtëpiis s’vet;

E fjala shpirt e jet.

 

Te toka jote aqë lufna jan bâ

Ku triman preknin dekën pa me qa

Kur nâna e motra lott derdhin pa prâ;

Ata me gjakun dheun e kanë la

 

Si di Shqiptari n’jet !

M’e bâ detyrn’ e vet!

 

Kosov, otrimnesh, e lul’ e rrallë

Detyrën t’in e ke me dal sot në ballë

Se mrrini koha, tokën m’e m’e prue

Arnmiqt e motçëm m’e dëbue

 

Se mjaft e kan robnue

Dhe n’zjarre kan prue!

 

Amun m’e durue pa pr’a ket zgjedhë

Që të huej para syve të t’vetë ledhe

Për me t’rrzue për kamb e për me t’ shkel

Për me i bâ gjith copë mirë  si iu del

 

Dhe duersh mos të lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t/’shojn!

 

Ku jeni pra ju burra, ju luftarë

Kosovës’ o të vlershmit ushtarë

Që keni për tan’ botën luftë gjithmon

Nër drejt vall gjaku mâ nuk iu valon

 

Pak iu me u- përment

Për votër e për vend?

 

Nuk shifni rrotull jush.Grek e Bullgar

I flliquni serbjan, sllav barbar

Kosovën’ si e mbajn nën kâmb t’ tyne nën thundër

Si ja çpojnë syt’ e faqët e deri n’zêmër ;

 

Duen emnin me ja çdukë;

Me dekë pa uj e pa bukë!

 

Disa ‘Serbi e vjetër’duen me i thânë,

‘Magjedhoni’do t’jerë emnin ja lânë!

Atyne si u pëlqen kufinin i venë

Shqiponja veq mbas dojes s’tyne me kjenë;

 

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb Shqiptarë!

 

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë

Prej zisë pështonjëje Kosovën e ngratë

At’ nânën t’uej t’lidhun komb’ e duhur

Q’anmiqet armiqt e kan vorrue me dhe e me guur,

 

Me lott qi qan e ankon

E asni nuk i ndihmon!

 

Shqyptar mos kujtoni besë‘ e fee

Po nânën ju kujtoni qi ju ka lee

Qi ka mbet  fill e vetum si gru e ve

Prej bijavet  harrushmemi ket dhee!

 

Se âsht turp i madh për ju

Të huejt me i u çneru !

 

Sot ora, mbrriti dita e bekueshme

Shqipnin m’e bâ në bot’nji vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref deri te qilli

Për qud të botës deri sa ka me shkëlzye dilli

 

Me rrnue nji Shqypnii

Si zonjnë lumnii.

 

Shqyptarë, çoniu, vllazën ora mrrini

Si geg’ e tokës nalt flamurin e ngrini!

Në manastir, Shkup,Shkodër e Janinë

Nji trup bani an’ e mb’ anë Shqypninë

 

Si ç’ trimit mirë i prek

Me nder luftë me dek!!

 

*Këtë vjershë, sa di unë, pra sa kam mundur të kem informacion, po e sjelli këtu të plotë për herë të parë pas shumë dekadash. Nja dy portale e kanë publikuar, por kanë publikuar 12 nga 15 strofa që ka.