Rezoluta për rastin “Drenica” e dëmshme për Kosovën

28.10.2016 15:15:08

Nga Rexhep Kastrati

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë me të cilën, sipas pretendimeve, mbrohen vlerat e luftës. Mirëpo, nga teksti i miratuar, del se nuk bëhet fjalë fare për vlerat e luftës, por për ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë. Vetë fakti se me këtë rezolutë kërkohet nga gjykatat që të kenë parasysh aspektet kufizuese në raport me pjesëtarët UÇK-së, është trysni e drejtpërdrejtë mbi to, e kur t’i shtohet fakti se aty thuhet se brenda gjashtë muajsh duhet të miratohet edhe ligji përkatës. Në këtë mënyrë, Kuendi ka marr përsipër që të detyrojë ede institucionet e tjera që të bëjnë gjithçka për mbrojtjen e të akuzuarve, që kur shihet në kontekst të asaj që thuhet për rastin “Drenica”, del se është një detyrim mobilizues për të penguar gjykime të drejta dhe në përputhje me Kodin Penal dhe Kodine Procedurës Penale. Në këtë kuptim, nëse deri tash institucionet e drejtësisë kanë qenë edhe ashtu në trysni të ndryshme publike dhe jopublike, tashmë ato do të jenë në trysni institucionale dhe ligjore. Parë gjthë këtë në kontekst të funksionalizimit të Gjykatës speciale, atëherë del se kjo rezolutë dhe ligji që pritet të miratohet brenda gjashtë muajve, do të jenë një mesazh i keq edhe për vetë atë Gjykatë dhe për bashkësinë nëdrkombëtare. Çka nëse Gjykata Speciale do ta marrë hashim Thaçin dhe Shaip Mujën dhe do t’i gjykojë për transplantim organesh? Me rezolutë dhe nesër me ligj, çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës? Përveç kësaj, Kuvendi i Kosovës, me këtë rezolutë ka shtetëzuar krimet eventuale, të cilat u bënë publike edhe gjatë seancës së djeshme. Në seancën e djeshme  u hodh dritë më transplantin e organeve, pat akuza të ndryshme për krime, madje edhe për dhunime. Pra, vetë seanca e djeshme dëshmoi se individë, apo edhe grupe të organizuara kanë bërë krime të ndryshme, të cilat gjykatat vendore dhe Gjykata speciale do t’i vërtetojnë, ose do t’i hedhin poshtë. Në aspektin e porcesit të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, miratimi i një rezolute të tillë, përpos që do të ndikojë negativisht në aspektin e një dëshmie legale të institucionalizimit të ndërhyrjes së gjykata, do të ndikojë negativisht edhe në angazhimet e kërkuara me ngulm nga partnerët tanë për luftën kundër krimit të organizuar. Me këtë rezolutë, Kuvendi i Kosovës shprehu mungesën e vullnetit për të luftuar krimin e organizuar dhe krimet e ndryshme, sepse me rezolutë, e nesër edhe me ligj, do t’ua bëjnë të qartë gjykatave që të kenë kujdes me proceset gjyqësore dhe me dënimet eventuale. Në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova mesazhe të vendosmërisë për të forcuar luftimin e krimit të organizuar, konsolidimin e shtetin ligjor, kjo rezolutë , dhe ligji që pritet të miratohet brenda gjashtë muajve, është një karshillëk ndaj vetë bashkësisë ndërkombëtare, si dhe shprehje e vullnetit për të vendosur sundimin e ligjit. Mendoj se pas kësaj rezolute, kryeprokurori Lumezi, edhe nëse do të ketë vullnet për të ndjekur krimin dhe korrupsionin, do ta ketë më të vështirë ta bëjë këtë. Po ashtu, edhe pët vetë dëshmitarët e mundshëm të krimeve të tilla çfarë u përmendën dje, do të jenë më të frikësuar që të dëshmojnë, ose t’u qëndrojnë dëshmive të gjertanishme.