Rikard Ljarja, një roman mbi shfarosjen e kishave nga komunizmi

Rikard Ljarja një emër i njohur i kinematografisë shqiptare ka prezantuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës romanin “Josifopedia”, botuar nga mapoedition. Libri është një rrëfim përmes një djaloshi me emrin Josif i asaj çfarë ndodhi me fenë gjatë komunizmit.

“Letërsia ka qënë pasion imi hershëm, por për shkak të profesionit që kisha në komunizëm dhe për shkak të konjukturave preferova ta mbaja për vete”, tha Ljarja. Ylljet Aliccka e quajti prozën e Ljarjes befasuese për ndërtimin e personazhit. “Josifopedia është një histori e së shkuarës sonë, dhënë përmes rrugëtimit të një djaloshi që kur lindi qante ndryshe.

Një histori e Shqipërisë në dy kohë, gjatë komunizmit dhe pas tij, ndërtuar përmes jetës së thjeshtë të një komuniteti. Por ky roman vjen dhe si një trazim duke vendosur për herë të parë pikëpyetje mbi një nga momentet më të trishta të historisë sonë, siç ishte asgjësimi që komunizmi i bëri kishave dhe xhamive”, tha Alda Bardhyli. Rikard Ljarja është një zë dinjitoz që i bashkohet kolanës të letërsisë shqipe me romanin “Josifopedia”, mapoediton.

Në fakt shumë njerëz befasohen nga fakti që Rikard Ljarja vjen për lexuesin me një libër, por ata që e njohin mirë krijimtarinë e tij e dinë që letërsia ka qenë herët pjesë e jetës së Ljarjes.

Pothuajse pjesa më e madhe e filmave të tij mbajnë emrin e tij si autor skenari. E të shkruash një skenar është një lloj letërsie. Vitet e fundit Ljarja është dhe autor i dy librave si Kohë qensh dhe Një humbëtirë diku këtu rrotull. Miq e njerëz të kulturës ishin pjesë e promovimit në ambientet e UET.