Rikrijimi i mitit të Europës

21.12.2017 23:14:54

Kjo vepër nuk është në Luvër, as në Musée d’Orsay… Edhe pse e krijuar para disa kohësh, ajo qëndron atje në heshtje, si një skulpturë e vetmuar, memece edhe pse është një skulpturë që flet shumë, që tregon për një art të vërtetë që fare mirë mund t’i përafrohej një vepre të Bourdelle apo Rodin, si një pinjoll i zellshëm i tyre ; edhe pse ndodhet në një atelier të një lagjeje të humbur të Tiraës, larg mjediseve lluksoze, larg mediave dhe show televiziv.

Eshtë një vepër e krijuar nga një skulptor i ri që ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe që premton një të ardhme të sigurtë : quhet Sulid Kasemi.

Padyshim, ky djalosh timid që refuzon të flasë për veprat e tij e ndjen se ka krijuar diçka të bukur, nga ato që krijohen në ethe e sipër, por meqë kjo skulpturë ka mbetur prej kohësh aty, në heshtje, dhe ngazëllimi i tij është zbehur, ai e shikon tashmë gati si një vepër të shkëputur nga vetvetja. Eshtë legjenda e Europës. Bourdelle dikur, një shekull më parë, në studion e tij në Montparnasse krijonte « centaurët » e tij në lavdi dhe në shuarje, krijesa miti e force.

Lavdia e tij erdhi më pas. Por ai nuk e krijoi legjendën e Europës, e cila kishte gjetur shprehjen e vet grafike e skulpturale në mijëvjeçarin e parë e më pas, veçanërisht kur historianët e shekullit XIX u kujtuan për këtë legjendë. Sulid Kasemi e përjetoi këtë legjendë përmes historisë dhe formës artistike, një legjendë ku duhet të dish të kompozosh marrëdhënien midis dy figura. Gjuha e trupit duhet të flasë : një dem që në fakt është vetë Zeusi i shndërruar në dem dhe një vajzë, bija e Telefasës dhe mbretit Agenor pranë Tyr.

Sigurisht Zeusi mund ta rrëmbente edhe hapur, por ai donte t’i shpëtonte syrit vigjilent të gruas së tij Hera, dhe ja ku si një dem i paqtë ai iu afrua një ditë Europës së bukur që lodronte bashkë me shoqet e saj në një livadh. Dhe Europa ra në sharmin e tij, madje hypi mbi të dhe kështu nga ai çast nisi ajo rendje drejt brigjeve të Ilirisë. Vazhdimi i legjendës dihet, por për ne është i rëndësishëm krijimi artistik, Fjala-Formë, plastika, ai çast i krijuar në lëvizje e sipër, gati për këtë rendje erotike, pasi muskujt janë forcuar për çastin sublim.

Atë ditë, në atë hangar të ftohtë dhe me kushtet më minimale (falë atit të tij që e ka marrë me qera), duke parë këtë skulpturë më rishfaqeshin Bourdelle e Rodin, ato vepra me një ekspresivitet të hatashëm që kanë mbetur frymëzuese në kohrat që do të vinin, pasi skulptori arrin që baltës, mermerit të ftohtë, bronxit të rëndë t’i japë një lloj fryme çka i bën këto figura frymëzuese dhe të gjalla, si në një film të Jean Cocteau-së, ku zemrat e statujave pulsonin…

U gëzova që pashë një vepër të tillë me Europën shtrirë mbi kurrizin e Zeusit-dem edhe pse nuk isha në Luvër apo Musée d’Orsay, por thjesht në një atelie të ftohtë të një dimri te lagësht.

Përshëndetje Sulid !