Rikthehet Bundesliga, sonte Frieburg-Bayern

20.01.2017 14:47:55

Sezoni 2016/17 i Bundesligës do të rikthehet mbrëmjen e sotme kur Freiburg do të presë në shtëpi kampionët në fuqi të Bayern Munich. Objektivi kryesor i vendasve, të cilët janë kthyer të luajnë në kategorinë kryesore të futbollit gjerman në këtë sezon, është të sigurojnë mbijetesën. Ata mbajnë vendin e tetë në renditje me 23 pikë të grumbulluara në gjashtëmbëdhjetë ndeshjet e luajtura deri tani. Ecuria e tyre gjatë muajit nëntor ka qenë shumë e keqe, duke humbur të katër ndeshjet e luajtur në atë muaj. Por kjo situatë ka ndryshuar në dhjetor, teksa Freiburg ka marrë dy fitore dhe dy barazime në katër ndeshje të luajtura. Bayern Munich, nga ana tjetër, është mësuar, veçanërisht në sezonet e fundit, ta mbyllë para kohe luftën për titullin. Gjithsesi, në këtë sezon skuadra e Ancelotti-t ka pasur disa vështirësi me ekipet e vogla, por në dhjetor ka arritur të rimarrin kreun.

Bavarezët e kanë mbyllur vitin e kaluar me gjashtë fitore të njëpasnjëshme. Rezultati më i rëndësishëm i këtyre përballjeve ka qenë fitorja 3-0 e arritur kundër RB Leipzig, që tani mban vendin e dytë në renditje, vetëm tri pikë larg kampionëve në fuqi, të cilët do të shkonin gjashtë pikë larg me një fitoreë sot, teksa Leipzig do të ketë një ndeshje të vështirë nesër kur do të presë në shtëpi Eintracht Frnakfurt-in e vendit të katërt.

Bayern ka një ecuri shumë pozitive kundër pjesës më të madhe të skuadrave të Bundesligës, në ndeshjet e luajtura në shtëpi dhe në transfertë. Por Freiburg ka pasur sukses në takimet e fundit të luajtura kundër bavarezëve në shtëpi. Ata kanë fituar 2-1 sfidën e fundit mes këtyre dy ekipeve dhe kanë barazuar 1-1 në atë paraardhësen. Megjithatë, Bayern ka marrë 9 fitore dhe 2 barazime në 11 përballjet e fundit të luajtura në transfertë, në kampionatin gjerman. Lajmi i keq për skuadrën e Ancelotti-t ka të bëjë me gjendjen fizike të Robert Lewandowski-t, Arturo Vidal-it dhe Thiago Alcantara-s. Këta tre lojtarë ka shumë mundësi të mos udhëtojnë me ekipin për transfertën e sotme. Ndërkohë, ekipi vendas nuk ka asnjë presion në këtë sfidë dhe për këtë arsye mund të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. /telesport.al/