Rikthehet Evropa e vjetër: Zyrtarizohet ndarja mes`klubit të vendeve të zhvilluara` dhe `të tjerët`

04.02.2017 20:24:39

Ndarje apo rigrupim i vendeve të Bashkimit Europian? Ende nuk është e sigurt, se çfarë do të ndodhë në vazhdim, por ajo që dihet deri më tani është se vendet më të fuqishme janë lodhur duke mbajtur barën më të rëndë.

Në kuadër të kësaj, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar, se pas Samitit të Romës që mbahet muajin e ardhshëm mund të adoptohet një udhëzues i ri për atë që ajo e quajti “Europa e shpejtësive të ndryshme”.

Në 60 vjetorin e Bashkimit Europian, liderët e 27 vendeve do të përpiqen të shpallin një dokument për periudhën post-Brexit, i cili duhet të rregullojë standardet e integrimit, aderimin në të njëjtën monedhë, duke lënë hapësirë për vendime të alternuara nga secili vend.

“Ne sigurisht mësuam nga historia e viteve të fundit se do të ketë në BE me shpejtësi të ndryshme, se jo të gjithë do të duan të marrin pjesë gjithë kohës në të gjitha hapat e integrimit. Kjo mund të përfshihet në Deklaratën e Romës”, ka deklaruar Merkel.

Sipas saj liderët po mendojnë për një plan 10 vjeçar për BE-në që përballet me sfida të reja. Ideja e një BE-je me shpejtësi të ndryshme pranon kështu se qëndrimet e BE-së me Greqinë gjatë krizës së fundit kanë dështuar, aq sa kanë imponuar një vështrim tjetër strategjik mbi BE-në. Në mbështetje të këtij plani të diferencuar integrimi janë shprehur Belgjika, Hollanda dhe Luksemburgu.

Duket se ajo që u përfol pas krizës së vitit 2008, për një klub vendesh brenda BE-së po realizohet, diçka që i lë vend politikës mesdhetare që mbrohet nga Italia prej kohësh. Në fakt kjo riafirmon Europën e brezave të antropologjisë politike, Jug  – Veri,  që janë të qëndrueshëm prej shekujsh.