Rikthimi i fantazmave ballkanistike në funksion të ndryshimit të kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve

18.04.2017 11:34:05

Nga Rexhep Kastrati

Edi Rama ka thënë se nëse nuk do të ketë integrim në BE, atëherë do të bashkohemi me Kosovën, e që mund të kuptohet edhe më mirë nga koncepti për treg unik dhe për union doganor. Nëse lidhet bashkimi me Kosovën me tregun unik dhe me unionin doganor çfarë është propozuar nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, atëherë i bie që ky bashkim të bëhet edhe me pëlqimin e Serbisë, por në kuadër të një unioni neojugosllav, dhe për më tepër me ndarjen e Kosovës ndërmjet Serbisë dhe shtetit shqiptar.

Në këtë mënyrë Serbia do të arrinte dy qëllime: do ta ndante Kosovën sipas platformës së Tadiqit dhe që në Kosovë e përfaqëson Albin Kurti dhe sekta e tij okulte, si dhe të rikthejë veten si qendër kryesore në Ballkan, ashtu siç ka qenë ndërmjet dy nga fundi i shekullit XIX, në 17 vite të shekullit XX, dhe siç u bë edhe me shpalljen e mbretëisë SKS, dhe mbretërisë jugosllave, por edhe gjatë rreth gjysëmshekulli të Jugosllavisë komuniste.

Në fakt, është edhe një koncpet tjetër, ai që e ka paraqitur Adem Demaçi dhe që e ka quajtur Ballkani, e që nënkuptonte krijimin e një federate apo unioni ballkanik, e që më tej, ishte rimarrje e konceptit ballkanistik grek për fedrealizimin e Ballkanit.

Mirëpo, koncepti i bashkimit të shtetit shqiptar me Kosovën në kuadër të një unioni ballkanik, duke nënkuptuar edhe ndarjen e saj, ose edhe pa ndarjen, është i ngjashëm me një koncept të fundit të Luftës së Dytë Botërore për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, por në kuadër të federatës jugosllave, pra me përfshirjen e shtetit shqiptar si republikë e shtatë e Jugosllavisë.

Dhe ky është koncept i kundërt me konceptin real të bashkimit të Kosovës me shtetin shqipar, si bashkim i natyrshëm dhe në përputhje me procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, përkatësisht me fazën e fundit të shpërbërjes: ndryshimit të kufijve në rajon, e që do të inicohej nga Republika Srpska në Bosnjë, e që do të pasohej edhe me bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, por edhe të shqiptarëve në territoret e tyre në ish-Jugosllavi, me shtetin shqiptar, e që do të mund të kishte disa forma: të bashkimit fillimisht me Kosovën, e pastaj së bashku me shtetin shqiptar, ose veç e veç me shtetin shqiptar.

Një koncept i bashkimit të me Kosovën, në kuadër të një unioni ballkanik, apo siç po quhet edhe si Jugosllavi e re me shtetin shqiptar, sigurisht se ka mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, sepse në këtë mënyrë do të mund të shuheshin burimet e konflikteve ndëretnike, si dhe do të krijohej një treg i gjerë ballkanik, ashtu siç i ka kundërshtitë dhe kundërshtimet, sidomos nga Kosova, e cila në një union të tillë nuk do të mund të ekzistonte, ose vetëm me Rezolutën 1244, pra në një pozitë inferiore dhe të pabarabartë, afërisht ashtu siç  eka pasur në kuadër të ish-Jugosllavisë.

Në të kundërtën, bashkimi i shtetit shqiptar me Kosovën, pa ndarje të saj, nuk do të pranohej nga Serbia, sepse edhe në kuadër të një unioni, faktori shqiptar do të ishte dominues, ose së paku do ta baraspeshonte fuqinë rajonale të Serbisë.

Pra, koncepti i bashkimit me Kosovën në kuadër të një unioni ballkanik, është shumë i paqartë, me shumë të panjohura dhe me rreziqe për kombe dhe shtete të ndryshme, por edhe për pozitën gjeopolitike e gjeostrategjike që do të kishte, duke marrë parasysh se shqiptarët do të këmbëngulnin në një pozitë gjeopolitike e gjeostrategjike euro-atlantik, kurse Serbia dhe Maqedonia do të donin të ruaninmarrëdhëniet e veçanta me Rusinë, e në kuadër të të cilave përfshihet edhe qëndrimi i Serbisë për të mos u anëtarësuar në NATO.

Në këtë mënyrë do të dilte që ky farë unioni do të ishte më shumë problematik, konfliktual dhe një rajon që do të rriste rolin destabilizues, sesa që do të shërbente për të stabilizuar rajonin dhe për të shmangur konfliktet ndëretnike, pra edhe ndërshtetërore.

Dhe përsëri, edhe ky koncept i Edi Ramës për bashkim me Kosovën mbetet në nivelin e ndarjes së saj sipas platformës së Tadiqit, që ndarjen e paraqet si bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar, e për të cilin angazhohet fort sekta okulte e Albinit, dhe që ka bërë Serbinë dhe Rusinë të investojnë fort që ta rrëzojnë Qeverinë aktuale dhe ta krijojnë një koalicion PDK – VV.

Një koalicion i tillë është i formësuar tashmë edhe për shkak se Hashim Thaçi ka udhëhequr fushatën për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike drejt krijimit të një “Republika Srpska” në Kosovë, kurse Albini synon ta çojë më tej këtë, duke e ndarë Kosovën dhe duke e paraqitur si bashkim kombëtar, apo si bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar.