Rikthimi i ish-ushtares kanadeze në Kosovë, takimi emocional me 21 fëmijët për të cilët ishte kujdesur 20 vite më parë

11.06.2019 18:50:58

Sophie Boisvert Levesque 20 vite më parë kishte ardhur me mision në Kosovë në kuadër të ushtrisë kanadeze.

Sophie këto ditë po qëndron në Kosovë. Sot ajo në emisionin “PasDite” me Donika Hysenin në RTV Dukagjini përmes një bisede ka rrëfyer momente të 20 viteve më parë kur edhe në Kosovë dhe emisionet që përjeton tash.

Ish-ushtarakja e Kanadasë tregon se u ishte dhënë lajmi se do të vinin me mision ushtarak në Kosovë.

Ajo thotë se njohuritë e saja për Kosovën në atë kohë ishin si të pjesës më të madhe të kanadezëve të zakonshëm. Ato çfarë thoshin lajmet në televizion.

Pas një qëndrimi në Maqedoni, vendi i parë ku shkeli në Kosovë ishte Drenasi.

“Vetëm nga fluturimi Maqedoni – Drenas, pashë shumëçka. Tendat e bardha, refugjatët të cilët po largoheshin, shtëpitë e shkatërruara dhe masakra. Kur aterova në Drenas nuk buzëqeshja më… Ishin fëmijët që po kalonin nëpër një luftë barbare, ne këtë gjë nuk e kishim parë në Kanada. Ishte një shok këtu…”, rrëfen Sophie.

Ish-ushtarakja e Kanadasë ishte ngarkuar në Kosovë me detyrën që të përkujdesej për 21 fëmijë.

Ajo thotë se dëshironte që t’i bënte këta fëmijë të harronin traumat e luftës.

“Kujdesi për ta ishte si të bëheshe fëmijë prapë. Njëherë ju kërkova atyre që të më pikturonin diçka se çka do donin të bëheshin kur të rriteshin dhe të gjithë kishin vetëm dy gjëra… Për ne në Kanada, ne gjithë duam të bëhemi diçka kur të rritemi, por këtu gjithë pyesnin se a do të mbijetonin, a do ishin nesër gjallë. Asgjë nuk ishte e garantuar në atë kohë”, vijon rrëfimin kanadezja.

Përderisa fëmijët nga Drenasi kishin vijuar jetën e tyre si të gjithë fëmijët e Kosovës, Sophie pasi ishte kthyer në Kanada kishte kaluar disa vështirësi në jetën personale pas një divorci dhe nuk ishte dëgjuar më me kosovarët.

“Po më shkruanin shumë kur u ktheva në Kanada, por po kaloja një kohë të keqe, po kaloja nëpër procedura divorci,  dhe ndihesha keq që i lash. Kështu në një farë forme i ndërpreva kontaktet. Çdo qershor ndihesha keq, sepse kisha shumë kujtime me ta, derisa dikur thash “u bë mjaft”.

“Takova një grup nga Kosova dhe ju tregova që isha ushtare nga Kanadaja gjatë viteve ’99. Iu kërkova nëse mund të më ndihmonin t’i gjej ata fëmijë. Dhe përgjigja e tyre ishte fantastike. Ishte ora pesë e mëngjesit në Kanada, kur më telefonuan. Ishte një zyrtare e Policisë në Drenas e cila po përpiqej që ti gjente ata. Dhe siç thashë, i gjetën ata për 72 orë”, tregon më tej Sophie Boisvert Levesque.

Ajo thotë se kishte frikë mos ndonjëri nga ta nuk kishte mbijetuar sepse sipas saj megjithatë e la Kosovën në gjendje jo të mirë.

“Sa herë që më sillnin lule, unë falënderoja Zotin që ata ishin ende gjallë, sepse ata mund të vriteshin.

Këta fëmijë më sillnin dhurata gjithmonë. Ata më  dhuruan dy kukulla për  vajzën time. Ju thash që duhet t’i mbani ato sepse ata nuk kishin shumë e unë e dija që vajzat e mia kishin shumë më shumë. Dhe ata thoshin “Jo. Kjo është si shenjë falënderimi ndaj asaj që të ka lënë ty të vish këtu e të na ndihmosh”. Pra, kjo kishte shumë kuptim për mua. Kam qenë në shumë misione por Kosova ishte e veçantë”.

“Ndonjëherë ti shkon në mision e bën punën tënde dhe nuk ke aq kohë të shoqërohesh me popullin, por këtu kishte shumë dashuri dhe njerëzit ishin shumë të mirë. Disa nga njerëzit e juaj më quanin Heroinë. Ju thosha që unë vetëm po bëja punën time, por më trajtonin sikur unë po e shpëtoja vendin e tëra e vetme”.

Ish ushtarja kanadeze thotë se kur është kthyer në Kosovë i janë ofruar shumë dhurata, madje ajo tregon një rast të veçantë.

“Mora shumë dhurata. Takova edhe një djalë në një dyqan dhe më tha: Të kam parë në TV, i gjithë dyqani është falas për juve”.

Sophie Boisvert Levesque sot jeton në Kanada dhe kalon kohën me vajzën e saj.