Rikthimi i Jabllanoviqit nuk është lajm, por është fuqizim i bashkërendimit të Beogradit me forca anarkiste dhe ekstremiste shqiptare

05.04.2017 20:51:20

Nga rexhep Kastrati

Rikthimi i Jabllanoviqit në krye të listës “Srpska” u paraqit si një lajm i ditës, por në fakt ky nuk është lajm, sepse lajm do të ishte sikur në krye të saj të vinte ndonjë përfaqësues serb i moderuar dhe më racional, e jo rikthimi i Jabllanoviqit. Është kështu për faktin se rikthimi i Jabllanoviqit është në vazhdën e angazhimeve serbo-ruse për fuqizimin e politikës së vjetër hegjemoniste, luftënxitëse dhe që cenon jo vetëm marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë, por edhe paqen dhe sigurinë në rajon. Rikthimi i Jabllanoviqit, edhe në kuptimin e ngushtë, nuk përbën lajm, sepse në fund të vitit të kaluar patëm rikthimin e tjetrit Aleksandër – Vulinit, i cili që atëherë është aktiv në raport me Kosovën. Dhe rikthimi i dy Aleksandrëve: Vulinit dhe Jabllanoviqit, do të thotë se ësht rikthyer edhe statura e fillimvitit 2015, kur këta dy bënë dy deklarata provokative dhe fyese: Aleksandër Vulin e pat krahasuar Gjakovën me Raqqa-n, kurse Kosovën me Sirinë, kurse Jabllanoviq pat fyer nënat gjakovare, pas të cilave pasuan protestat e dhunshme, anarkiste dhe destabilizuese.

Pra, me rikthimin e Jabllanoviqit, e më parë edhe me rikthimin e Vulinit, Serbia do të rrisë anagzhimet, provokmet dhe fyerjet në drejtim të Kosovës dhe të shqiptarëve. Po ashtu, duhet të pritet që të vështirësojë punën e Kuvendit dhe të Qeverisë, për të ndihmuar dy linjat: linjën e Tiranës/Kretës dhe atë udbasho-jugosllavokomuniste, si dhe korpusin medietik të kontrolluar nga to që të tensionojnë situatën dhe të çojnë vendin drejt një anarkie që do të mund të përfundonte me një rënie të shtetit, ose së paku me rënien e Qeverisë, pas të cilave do të mund të formohej një koalicion PDK – VV, me kryeministër Albin Kurtin, dhe i cili koalicion do të hapte çështjen e ndryshimeve të kufjve në Kosovë dhe në rajon.

Vendosja e Vuçiqit në krye të Presidencës së Serbisë me bekimin e Rusisë, siç është konsideruar edhe nga mediet ndërkombëtare, rrezikon seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, duke bërë të pritshme edhe lufta të reja, gjakderdhje të reja dhe ndryshime të kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve. Së këndejmi, Serbia në Kosovë do të jetë tepër e angazhuar që të forcojë forcat anarkiste, destabilizuese dhe luftënxitëse, si dhe forcat ekstremiste fetare që në një simbiozë do të bënin të mundur realizimin e skenarëve serbo-rusë për të destabilizuar rajonin nëpërmjet këtyre forcave destabilizuese shqiptare dhe jo vetëm shqiptare, dhe për t’i akuzuar pastaj shqiptarët si faktor desatbiliteti në rajon. Çështje të tilla si Gjykata speciale, Demarkacioni, Asociacioni, Ushtria, dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme do të jenë arsye për të krijuar një konfliktualitet politik dhe me bazë edhe etnike, sepse këto çështje do të shfrytëzohen për një bashkërendim ndërmjet listës “Srpska”, Beogradit dhe forcave anarkiste, të dhunshme, forcave ekstremiste fetare për të arritur qëllimin programatik të përbashkët: shndërrimin e Kosovës në një faktor destabiliteti dhe burim i ekstremizmit fetar, me të cilat do të vihej në dyshim raporti i Kosovës me aleatët tanë strategjikë.