Rikthimi i vizave/ Ç’lojë po luan Holanda, komisioneri i KE: S’ka ardhur asnjë ankesë për Shqipërinë!

21.05.2019 12:18:29

Ç’lojë po luan Holanda?

Kjo është pyetja që na mundon, pasi Komisioneri për Kufijtë dhe Emigracionin, Dimitris Avramopoulos zbuloi sot nga Tirana për të parën herë se në KE nuk është depozituar asnjë kërkesë për rikthimin e vizave për Shqipërinë.

“Së pari ne s’bëjmë komente për ato që ndodh brenda për brenda vendeve anëtare në parlamentet e tyre. Teksa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizmin e vizave më lejoni të them që deri më sot Komisioni s’ka marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtarë që kërkon pezullimin e mekanizmave të vizave, për asnjë vend ne Europë, që përfiton nga regjimi i lëvizjes pa viza në zonën Schengen”, tha ai.

Por komisioneri grek theksoi se nëse do të ketë depozitim të një vendimi të tillë nga Parlamenti i Holandës, KE do të kryejë të gjitha verifikimet për të argumentuar nëse mund të vendoset rikthimi i vizave.

“Nëse e marrim një kërkesë të tillë, ne do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse do të duhet të marrim një vendim të tillë, duke u bazuar te të gjitha provat që do të sjellë Parlamenti i këtij vendi”, theksoi ai.