Ringjallet propaganda morbide e Millosheviqit: Fëmijë serbë po rrëmbehen në Kosovë!

22.07.2016 13:12:55

Në Beograd, mediat serbe, si dikur në kohën e Kasapit të Ballkanit – Sllobodal Milosheviq – kanë ngritur alarmin për gjoja rrëmbimin e fëmijëve serbë në Kosovë.

Kështu, gazeta “Veçernje Novosti” shkruan se në territorin e komunave Lipjan e Graçanicë janë gjithnjë e më të shpeshta sulmet ndaj fëmijëve serbë që qëllim kanë rrëmbimin e tyre. Kjo, sipas gazetës, po ndodh më së shumti në fshatra dhe në rrugët që lidhen me magjistralet përreth.

Incidenti i fundit, sipas kësaj ditoreje, ka ndodhur në paralagjen e Lipjanit që banohet nga shumica serbe.

“Fëmija kishte shkuar të hidhte mbeturinat kur para tij ishte ndaluar një veturë pa tabela, Golf i zi. Një udhëtar, në gjuhën serbe, me thikë në dorë, i ka thënë fëmijës të futet në veturë. Për fat, në atë moment aty afër kalon një serb me veturë i cili ndalohet dhe fton për ndihmë e pas kësaj sulmuesit ikin”, ka thënë Zllatko Llaziq, i cili prezantohet si “kryetar i organit të përkohshëm të komunës së Lipjanit”

Në këtë komunë, sipas Laziqit, edhe pas vitit 1999 kanë jetuar 7000 serbë e tani jetojnë vetëm 500 sish.

Edhe kryetari i komunës së Graçanicës. Vladeta Kostiq,ka thënë se raste të ngjashme rrëmbimi kanë ndodhur edhe me disa vajza serbe në disa fshatra. Ai ka kërkuar që të shtohet sigurimi policor në vendbanimet serbe.