Ristani kundër Bashës

29.06.2017 19:35:28

Në fillim të javës së ardhshme, Partia Demokratike do të mbledhë kryesinë e saj për të zgjedhur komisionin që do të organizojë zgjedhjet për kryetarin e ri të saj.

Burime pranë dy nënkryetarëve, që kanë marrë funksionet e kryetarit Basha, thanë për Top Channel se kryesia do të thirret kur të përfundojë afati për regjistrimin e kandidatëve.

Sipas vendimit të tyre të së mërkurës, kjo datë është 2 korriku dhe më pas kryesia do të zgjedhë 7 anëtarë dhe dy ndihmësa të komisionit të organizimit të zgjedhjeve brenda partisë.

Por edhe ky vendm, njësoj si ai i shpalljes së datës së zgjedhjeve, nuk do të ketë firmën e sekretarit të përgjithshëm, Arben Ristani, i cili u ngarkua nga kryetari Basha me të njëjtat kompetenca si dy nënkryetarët për organizimin e zgjedhjeve.

Por Ristani mendon se ky akt i kryetarit të partisë është jostatutor. Ai i referohet nenit që flet për dorëheqjen e kryetarit, rast në të cilin sekretari i përgjithshëm vë në lëvizje këshillin kombëtar, që komandon njërin prej nënkryetarëve.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të demokratëve, shpallja e datës së zgjedhjeve dhe e paraqitjes së kandidatëve është kompetencë e kryesisë.

Arben ristani, i cili u rendit i katërti në Vlorë nga 3 mandate që fitoi Partia Demokratike, thotë se për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në parti është e nevojshme rinisja e procesit mbi bazat e statutit.

Deklarata e Arben Ristanit është e ngjashme me atë të kundërshtarëve të Lulzim Bashës përsa i përket procedurave të ndjekura.

Por ata shkojnë edhe më tej se Ristani kur thonë se nuk mund të ketë garë të vërtetë pa dorëheqjen e Lulzim Bashës, të cilën e shohin si të vetmen mundësi për të ndërprerë procesin antistatutor aktual.

Përndryshe, ata thonë se Basha mbetet përgjegjësi i vetëm i shkatërrimit përfundimtar të Partisë Demokratike.