Rohan: Kujdes si silleni me diplomatët e huaj, sepse vareni vullneti i mirë i BE-së dhe SHBA-ve

23.12.2017 21:48:16

Parlamenti i Kosovës edhe mund ta zhbëjë Gjykatën Speciale. Por, para këtij veprimi duhet gjetur alternativa për t’i zbardhur pretendimet për krime lufte. Për këtë duhet marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe SHBA-në.

Kosova është shtet i pafuqishëm, s’është anëtar i BE-së dhe as i OKB-së. Vendimmarrje e tillë e pakoordinuar e dobëson edhe më shumë shtetin e ti. Për Express flet Albert Rohan, ish-ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi në Vjenë.

Ish-Zëvendësi i Ahtisarit në dialogun Kosovë-Serbi, Albert Rohan, ka thënë se liderët e Kosovës para se të tentonin të shfuqizonin Gjykatën Speciale në Parlament do të duhej të mendonin se në cilën gjykatë do të gjykoheshin pretendimet e senatorit zviceran lidhur me akuzat për krime të kryera në kohën e luftës dhe pasluftës nga pjesëtarë të UÇK-së.

Në një bisedë ekskluzive për Express, Rohan ka thënë se udhëheqja e Kosovës nuk ka prezantuar asnjë alternativë se kush do të merret me pretendimet për akuzat e kryera gjatë luftës.

Diplomati austriak ka thënë se është obligim edhe i Shtetit të Kosovës të qartësojë të gjitha pretendimet që janë ngritur për krime lufte dhe të dihen nëse të dyshuarit do të jenë të pafajshëm ose fajtorë.

“Këtu po mungon alternativa; nuk mund thjesht ta shfuqizoni [ligjin] dhe ta lëni më kaq”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të ketë kujdes ndaj zyrtarëve të BE-së dhe të SHBA-ve.

“Kosova është në pozitë shumë të vështirë për shkak të mungesës së njohjeve universale, mungesës së anëtarësisë në OKB, dhe për shkak të ligësisë së saj ekonomike. Pra, është një vend që varët shume nga ndihma dhe vullneti i mirë i Bashkimit Evropian në veçanti dhe të SHBA-ve”, ka shtuar ai.