Rojo ‘mban’ Messin në Botëror. Lot gëzimi te Argjentina, por i pret Franca

26.06.2018 23:49:24

Në Shën Petersburg Lionel Messi ka luajtur ndeshjen e jetës me Argjentinë e tij, duke marrë një 3 pikësh shpëtimtar përballë Nigerisë, duke dalë si të dytët e Grupit D në fazën e 1/8-ve.

Ishte pikërisht Messi, ai që ndriçoi momentin e errët të Argjentinës duke ngritur në këmbë kombin e tij në minutën e 15 të ndeshjes me një gol të bukur pas disa kombinimeve në zonë.

Por ajo që ishte parashikuar si një përballje delikate me “shqiponjat” e Nigerisë, përvetësoi këtë karakteristikë, kur Mascherano la në baltë ekipin e tij duke shkaktuar një penallti, që e ktheu në gol, sulmuesi i Chelsea-t, Viktor Moses.

E teksa minutat kalonin ankthi shtohej te lojtarët argjentinas në fushë dhe tifozët e shumtë në tribuna, mes tyre edhe idhulli Maradona. U desh minuta e 86 që mbrojtësi Marcos Rojo me një goditje të jashtëzakonshme t’i sillte Argjentinës një fitore mes lotësh gëzimi.

Arena e Petersburgut shpërtheu sikur të ishte Buenos Aires dhe në minutat e mbetura Messi me shokë qetësisht ruajtën rezultatin duke dalë kështu si të dytët në grup.

Në fazën e 1/8-ve Albicelestet gjejnë gjelat e Francës, të cilët kishin mbyllur më parë llogaritë si “koka” e Grupit C. Superpërballja mes tyre do të luhet në Kazan më 30 qershor.