Roli i linjës së Tiranës/Kretës në komprometimin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së

14.01.2019 11:59:58

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur ka filluar të veprojë Gjykata speciale dhe të ftojë individë të ndryshëm, ka filluar edhe marshi demagogjik në formën e tiradave propagandistike, duke e nxjerrë edhe logon dhe emrin e UÇK-së përpara.

Në fakt, që nga fillimi, edhe kur bëhej fjalë për Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi, edhe tash kur bëhet fjalë për Gjykatën speciale, në nivel të propagandës, u luajt shumë me emrin e UÇK-së, përkatësisht është thënë dhe po thuhet se po njolloset emri i saj, dhe po vazhdohet me pastërtinë e luftës së saj.

Nevoja për të fshehur çdo lloj veprimtarie të linjës së Tiranës/Kretës në dëm të luftës dhe të vendit me emrin e UÇK-së, ndërkaq, është nevojë për të fshehur faktin se kjo linjë është projekti më i madh i Serbisë dhe i të majtës shqiptare në dëm të Kosovës dhe të çështjes shqiptare.

Linja e Tiranës/Kretës që doli pas takimit Nano-Milosheviq në Kretë, në fillim të dhjetorit 1997, e që ishte produkt i agjenturave serbe, të SHIK-ut të Tiranës dhe të agjenturave të tjera kundërshqiptare me qëllim të komprometimit të luftës çlirimtare nëpërmjet monopolizimit të saj dhe të UÇK-së.

Linja e Tiranës/Kretës që nuk është UÇK-ja, por një strukurë e vendosur dhunshëm në krye të saj me qëllim monopolizimin e saj dhe të drejtës për të folur në emër të saj, që nga fillimi është shpërfaqur qartësisht si linjë kundërkombëtare: 1. në nivelin e propagandës dhe në përgjithësi në nivelin e luftës speciale, më shumë kishte bërë kundër presidentit Rugova, LDK-së dhe linjës institucionaliste të drejtuar nga presidenti Rugova, sesa ndaj Serbisë dhe Milosheviqit. Në këtë drejtim, skandaloz ka qenë deklarimi i Mehmet Hajrizit, atëherë sekretar i përgjitshëm i partisë së Qosjes, dhënë Dojçe Velles, sipas të cilit nuk ishte problem Milosheviqi në Beograd, por ishte Ibrahim Rugova në Prishtinë; 2. Në nivelin e veprimit konkret dhe kriminal të linjës së Tiranës/Kretës ndaj linjës institucionaliste të presidentit Rugova, duhet theksuar edhe luftimin në terren të pjesëtarëve të kësaj linje deri në eliminimin fizik, si dhe në mundësinë e një lufte vëllavrasëse; 3. Në nivelin e dëmtimit të Kosovës, linja e Tiranës/Kretës ka ndihmuar Serbinë në ndarjen e brendshme etnike të Kosovës, sidomos të veriut të saj, duke mos lejuar njesitet e UÇK-së të shkonin deri në kufi me Serbinë dhe duke fuqizuar enklavat brenda Kosovës; 4. Hashim Thaçi si i ashtuquajtur kryeministër i Kosovës, do të fillojë pa përfunduar mirë lufta në Kosovë takimet me përfaqësues serb për ndarjen e Kosovës, përkatësisht kantonizimin e saj, kurse i operacionalizonte Bajram Rexhepi si i ashtuquajtur prefekt i Mitrovicës në takimet e vazhdueshme me Oliver Ivanoviqin, më vonë të gjykuar për krime lufte kundër shqiptarëve, dhe i vrarë me shumë gjasë nga mafia serbo-shqiptare e veriut për llogari të BIA-s serbe; 5. Në nivelin e fuqizimit dhe të legalizimit të ndarjes etnike të Kosovës, linja e Tiranës.Kretës e profilizuar në partiza të ndryshme, ka vazhduar bashkëveprimin kundër linjës institucionaliste të presidenti Rugova, një bashkëveprim që i kalon përmasat e bashkëveprimit për heqjen e autonomisë së Kosovës. Në këtë kontekst, duhet theksuar bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e linjës së Tiranës/Kretës me serbët për të pamundlsuar zgjedhjen e presidentit Rugova në funksionin e presidentit të Kosovës më 2001; 6. Në nivelin e ndarjes së Kosovës, që u bë nga linja e Tiranës/Kretës gjatë dhe pas luftës duke e keqpërdorë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, duhet qartësuar vazhdimësinë e këtij procesi që po pret përmbylljen nga ai që e ka nisur: Hashim Thaçi, tashmë në fazën aktuale të pazareve të tij me Aleksandër Vuçiqin.

Në këtë kontekst, duhet thënë se roli i kësaj linje në komprometimin e luftës çlirimtare dhe të emrit të UÇK-së është vendimtar dhe parësor, sepse të gjitha këto që i përmenda më lartë janë bërë në emër të saj, dhe po vazhdohet edhe sot e gjithë ditën. Ata që vazhdojnë të fshehin tradhtarët e vendit, keqbërësit dhe ata që e ndanë Kosovën me luftën çlirimtare dhe me emrin e UÇK-së, po e njollosin më tej si luftën ashtu edhe emrin e UÇK-së.

Le të jetë e qartë: komprometimi i luftës çlirimtare, nxitja e luftës vëllavrasëse dhe ndarja e Kosovës kanë qenë dhe kanë mbetur qëllimet kryesore të Serbisë dhe të aleatëve të saj, kurse linja e Tiranës/Kretës në krye me Hashim Thaçin, Xhavit Halitin etj., është projekti më i madh i Serbisë dhe i qarqeve tjera kundërshqiptare në funksion të këtyre qëllimeve.

Me këtë linjë, përkatësisht me qëllimet e saj, nuk janë identifikuar dhe nuk mund të indentifikohet lufta çlirimtare as UÇK-ja, sepse si e para, ashtu edhe e dyta janë më të gjera, më masive dhe më heterogjene, sesa linja e Tiranës/Kretës, e cila që në zgjedhjet e para të vitit 2000 përjetoi humbje të thellë, e që vazhdoi për vite të tëra, derisa veglat kondomë dhe të paguarit brenda e rreth LDK-së nuk e përçanë atë me anë të karrigeve.