Roli i Serbisë si viktimë dhe komploti ndërkombëtar kundër saj, si mënyrë për realizimin e pazareve kundër Kosovës

19.06.2018 17:51:58

Nga Rexhep Kastrati

Zyrtarë serbë që nga Vuçiqi e më poshtë janë duke bërë një paraqitje viktimizuese të Serbisë në raport me Kosovën, duke theksuar vazhdimisht pozitën e vështirë të saj, trysnitë ndërkombëtare etj.

Në fakt, rolin e serbëve dhe të Serbisë si viktimë të një komploti ndërkombëtar, institucionet shtetërore të shtetit serb e kanë paraqitur vazhdimisht, madje dhe gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, kurse ky rol është i theksuar shumë në Memorandumin e dytë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë i hartuar më 2011 nga Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq.

Madje roli i serbëve dhe i Serbisë si viktimë është postulati kryesor mbi të cilin është bazuar ai memorandum dhe sskenarët për veprim të mëtutjeshëm të Serbisë ndaj shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Në atë memorandum bëhet thirrje që në emër të rikthimit të dinjitetit dhe të kompensimit të serbëve për viktimizimin e tyre, duhet ndjekur politika destabilizuese ndaj shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, të sabotojnë zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e tyre si shtete.

Në raport me Kosovën, përkatësisht në kontekst të negociatave në Bruksel, Serbia është bazuar në gjoja viktimizimin e serbëve në Kosovë dhe të vetë Serbisë, në pozitën e vështirë dhe të pasigurt të serbëve në Kosovë, etj. Mbi këtë bazë ka k[ërkuar dhe ka imponuar kompromise të rënda për Kosovën dhe aso përcaktime jurdiko-kushtetuese që de facto e defunksionalizojnë Kosovën si shtet.

Kushti që ka Serbia për t’u integruar në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, edhe nëpërmjet Kapitullit 35 të BE-së, edhe nëpërmjet një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën, zyrtarët serbë po e paraqesin si një komplot tjetër ndrkombëtar, të cilin së fundmi e ka shprehur edhe Daçiq, duke deklaruar se 24 shtete do t’i bëjnë Serbisë për të njohur Kosovën.

Ndërkaq, e vërteta është se Serbia në këtë mënyrë po synon të arrijë tri qëllime themelore: 1. që të kërkojë si kundërshpërblim një Asociacion me kompetenca ekzekutive, përkatësisht një “Republika Srpska” në Kosovë, nëse nuk do të jetë e mundur të realizohet ndonjë skenar ukrainas, apo edhe shkëmbim territori; 2. para opinionit serb të paraqesë normalizimin e marrëdhënive eme Kosovën, pra edhe mundësinë e njohjes së Kosovës si rezultat i një komploti ndërkombëtar, por edhe si fitore për shkak të mundësisë së krijimit të një Asociacioni me kompetenca ekzekuitve; 3. të kërkojë nga bashkësia ndrëkombëtare përfitime të mëdha, siç janë shlyerja e borxheve të trashëguara, donacione dhe forma të ndryshme financiare, lehtësi në proceset integruese, pozitë të privilegjuar në rajon etj.

Përballë gjithë kësaj janë institucionet dobëta të Kosovës dhe të gatshme për çfarëdo lloj pazari, e të cilat nuk janë fare në nivel të kontekstit shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për Kosovën dhe për rajonin.