Roma “ok”, Fiorentina e Napoli ndahen në paqe

22.12.2016 23:12:05

Roma e mbylli vitin me fitore duke mundur 3-1 Chievon në Serie A. Verdhekuqtë shkurtuan në 4 pikë diferencën me Juventusin kryesues ndërsa thelluan distancën me Napolin ndjekës. El Shaarawy ishte protagonisti i madh i kësaj sfide, me një gol fantastik në fundin e pjesës së parë. Ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë “Faraoni” bëri gjithcka mirë në zonë kur shërbeu për Dzekon golin e 2-1. Përpara shpërthimit të El Shaarawy-t, Chievo megjithatë mendoi se mund të bënte surprizën e madhe kur shënoi me numrin 1 të saj, De Guzman. Pavarësisht kthesës së Romës në pjesën e dytë, skuadrës së Spallettit iu nevojit pak kohë deri në mbylljen e sfidës, me Perottin që shënoi vetëm në të 92-tën nga pika e bardhë golin e 3-1.

Napoli humbi terren me Romën, pasi barazoi 3-3 një ndeshje spektakolare me Fiorentinën, ku nuk i shërbeu as goli fantastik i Insignes për të marrë fitoren. Në fundin e pjesës së parë, Fiorentina fitoi madje dhe një 11-metërsh, por Kalinic me një gjest të madh sportiv i bëri të ditur gjyqtarit se nuk ishte penallti për skuadën e tij. Ndershmëria u shpërblye në pjesën e dytë kur Fiorentina përmbysi rezultatin deri në shifrat 3-2 me një dygolësh të Bernardeschit dhe Zarates, por në minutën e 93-të kur vjollcët menduan se fituan Napoli gjeti një 11metërsh që e shndërroi në gol Gabbiadini që arriti t’i japë një pikë të tijve.

Në fundin e klasifikimit, Pescara barazoi 1-1 me Palermon në transfertë falë një 11-metërshi të Biraghit në të 93-tën. Ndërkohë që në të 95-tën, Memushajn pa portierin e Palermos t’i mohonte një gol të sigurtë. Fitore regjistroi dhe Torino që mundi 1-0 në shtëpi Genoan, me një gol të Bellotit.