Roma rimerr vendin e dyte, mposhti Fiorentinen

08.02.2017 10:16:15

Roma fiton 4-0 takimin përmbyllës të Javës së 23, ndaj Fiorentinës dhe rikthehet në vendin e dytë të Serisë A. Pas disfatës me Sampdorian në Marassi si dhe fitores tepër të diskutueshme në kupë me Cesena-n e Serisë B “verdhekuqtë” bënë autokritikë, duke zhvilluar një ndeshje vërtet shumë të mirë. Merita shkon për kapitenin e ekipit Daniele De Rossi, që ofroi dy asist, duke thyer rezistencën e skuadrës vjollcë. Trajneri Paulo Sousa nuk kishte në dispozicion sulmuesin kroat Nikola Kalinic, për shkak të një dëmtimi në gju, megjithatë ishte pikërisht ekipi toskan që pati mundësinë më të mirë për të kaluar i pari në epërsi, kur në 14′ Federico Chiesa pas një topi të marrë nga mbrojtësi Gonzalo Rodriguez doli i vetëm përballë portierit Szczesny, por sfera ndonëse kaloi mbi kokën e gardianit polak u largua nga Fazio. Rezultati u zhbllokua në 39′, kur kapiteni De Rossi shërbeu në mënyrë të shkëlqyer sulmuesin Edin Dzeko, që falenderoi mbrojtësin kolumbian Carlos Sanchez, duke mposhtur pa shumë problem portierin Tatarusanu. Fiorentina e filloi më mirë pjesën e dytë, sidoqoftë ishte përsëri Roma skuadra që gjeti rrjetën.

Në 58′ pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, nga krahu i djathtë, mbrojtësi argjentinas Fazio kërceu mbi të gjithë, duke shfrytëzuar më së miri me kokë krosimin e De Rossi-t. Që nga ky moment ekipi vjollcë u shthur dhe në fushë pati vetëm një skuadër. Goli i tretë ishte njëkohësisht edhe goli më i bukur i takimit, pasi aksioni nisi që nga mbrojtja. Në vetëm pak sekonda topi përshkoi mesin e fushës dhe De Rossi hapi lojën në krahun e majtë për Strootman, holandezi ofroi një top të shkëlqyer për Nainggolan që në 75′ trefishoi shifrat. 7′ para fundit Edin Dzeko shfrytëzoi në maksimum një gabim të ish-mbrojtësit të Romës Davide Astori, për të kompletuar një fitore të madhe të “verdhekuqve”, me një rezultat që ndaj klubit vjollcë mungonte prej plot 17 vjetësh. Jo vetëm kaq, por falë dy golave të realizuar sulmuesi boshnjak u ngjit në krye të golashënuesve, me 17 gola, ndërsa ekipi i Romës në krahun tjetër tashmë e ngushton në vetëm 4 pikë diferencën me skuadrën e Juventusit.