Ronaldo e Bale “thyejne” murin e Dortmundit

26.09.2017 23:39:12

Nuk ka mur që e ndal Realin e Madridit në Champions. Më një dygolësh të Cristiano Ronaldos dhe finalizimin e Gareth Bale, që zhbllokoi sfidën, Los Blancos e pushtuan 1-3 Signal Iduna Park, në sfidën më të rëndësishme të raundit të dytë në Grupin H të Championsit.

Bale i shërbyer nga Carvajal, goditi fluturimthi në të 18-ën, me topin që u ndal në rrjetë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë uellsiani asistoi Ronaldon për golin e 2-0.

Aubamyenag ngjalli shpresat për një rezultat pozitiv vetëm 3 minuta më pas, por Ronaldo në të 80-ën u dha goditjen përfundimtare verdhezinjve.

Në takimin tjetër të Grupit H, Tottenhami iu fal këmbëve të Harry Kane që realizoi tre golat e sfidës.

Në fund të pjesës së parë sulmuesi i kombëtares angleze në pozicion të rregullt, shënoi golin e parë, ndërsa në të 63-ën i coi shifrat në 2-0.

Vetëm pak minuta më pas gjeti rrjetën me një goditje me kokë thuasje nga pika e bardhë e penalltisë.

Tjetër barazim i Livepulit në Grupin E, këtë radhë 1-1 në transfertë me Spartakun e Moskës. Fernado i dha avantazhin e përkohshëm skuadrës ruse, pasi në të 31-tën barazoi Coutinho. Në takimin tjetër të këtij grupi Sevilla shkatërroi 3-0 Mariborin e Valon Ahmedit, që u aktivizua titullar. Ben Yeder ishte heroi i andaluzianëve me një tregolësh, dy prej të cilëve i realizoi në pjesën e parë, për të mbyllur llogaritë me sllovenët me 11-metërsh 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Në Grupin F,  Manchester City arriti të fitonte 2-0 ndaj Shakhtar Donetsk. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërkohë fraksioni i dytë i gjeti vendasit në avantazh të dy golave. I pari u realizua në minutën e 48, falë Kevin De Bryne, ndërsa në minutën e 90, Raheem Sterling solli dhe golin e sigurisë. Falë këtij rezultati Citizens pozicionohet në vendin e parë me 6 pikë, ndërkohë po tek ky grup, Napoli kaloi pa probleme Feynoord, me këta të fundit që u mposhtën me rezultatin 3-1. Napoli gjeti shpejt rrugën e rrjetës, pasi në minutën e 7 Lorenzo Insigne i jep epërsinë skuadrës së tij. Fillimi i pjesës së dytë sheh sërish vendasit në fest, këtë herë autorë i golit ishte Dries Mertens, ndërkohë në të 70 Jose Callejon, trefishon rezultatin. Goli i vetëm për Feynoord, u realizua nga Sofyan Amrabat.

Në Grupin G, Besiktas mposhti 2-0 gjermanët e Leipzig. Një fitore e siguruar që në pjesën e parë, me autorë Ryan Babel në minutën e 11 dhe në të 43 Anderson Talisca. Në përballjen tjetër të këtij grupi, Monaco pësoi një disfatë të thellë përballë Portos. Ekipi nga principata u mposhtë me rezultatin 3-0. Dy golëshi i Vincent Aboubakar dhe rrjeta e Miguel Layun i dhanë Portos 3 pikët e para në fazën e grupeve të Champions League.