Ronaldo ndalet, Reali prek finalen

25.04.2018 23:40:34

Reali i Madridit vijon të konfirmohet si pretendenti kryesor, për të fituar për herë të 3-të radhazi trofeun më prestigjoz për klube, Champions Leaguen.
Skuadra e Zinedine Zidane arriti të fitojë me rezultatin 1-2 në Mynih, ndaj Bayernit, në sfidën e parë gjysmëfinale, ku vendosën golat e Marcelos dhe Asensios, që zhvlerësuan atë të shënuar nga Kimmich për vendasit.

Vlen të theksohet, se Cristiano Ronaldo nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë për herë të parë në këtë edicion të Championsit, pasi kishte arritur të shënojë rregullisht në 10 ndeshjet paraardhëse.

Mbrëmja nisi në mënyrë vërtetë të keqe për bavarezët, pasi anësori holandez, Arien Robben la fushën e lojës i dëmtuar që në minutën e 5-të të sfidës. Gjithsesi në minutën e 28’, një kundërsulm i shpejtë i Kimmich, solli edhe avantazhin e vendasve, që shënuan pikërisht me anë të mbrojtësit anësor, që mposhti portierin Keilor Navas, me një goditje mjaft të zgjuar.

Por pa u mbyllur ende mirë festa e golit të avantazhit, Boateng dëmtohet dhe kërkon zëvendësim, duke bërë që Heynckesit t’i shtoheshin dhimbjet e kokës, pasi brenda 34 minutave konsumoi 2 nga 3 zëvendësimet e lejuara, për shkak dëmtimesh.

Si për ta bërë edhe më të ‘errët’ pjesën e parë, mendoi Marcelo, që në sulmin e parë të rrezikshëm të Realit të Madridit, lëshoi një ‘silurë’ me të majtën dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Bayernit, duke barazuar shifrat.

Pjesa e dytë pa skuadrën e Heynckesit sërish protagoniste, por një gabim i pafalshëm mbrojtësit brazilian Rafinha, në minutën e 56’, bëri që të përfitonte Asensio, i cili pasi kombinoi me Lucas Vasquez, shënoi golin e dytë dhe kaloi në epërsi skuadrën e Zidanes.

Në minutat e mbetura, ishte francezi Franck Ribery që tentoi të zgjojë skuadrën e Bayernit, por në disa raste për meritë të portierit dhe në disa të tjera për mungesë të fatit, nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë dhe të barazojë rezultatin.

Vlen të përmendet se edhe Cristiano Ronaldo arriti të dërgojë topin në rrjetë në pjesën e dytë, por goli i tij u anulua për një prekje me dorë në momentin e kontrollit të topit.

Pas 90 minutave të para në Mynih, Reali përsëriti rezultatin e vitit të kaluar, 1-2 në ‘Allianz Arena’, dhe tashmë është më pranë finales, ndonëse fjala e fundit do të thuhet të martën e ardhshme në Madrid.