Rooney, si Sir Bobby Charlton. 249 gola me United

08.01.2017 16:59:57

Wayne Rooney shkruan emrin e tij në historinë e Manchester United. Sulmuesi anglez u bë një prej protagonistëve për “djajtë e kuq” në kualifikimin për në raundin e katërt të Kupës së Anglisë, pas fitores së thellë 4-0 ndaj Reading, teksa shënoi golin e parë për skuadrën e tij që në minutën e 7.

Ai ishte një gol që pati shumë domëthënie për këtë futbollist, të cilin Manchester United e mori nga Evertoni kur ishte vetëm 18 vjeç. Rooney, me atë ndaj Reading e çoi në 249 numrin e golave të shënuar me fanelën e Manchester United, duke barazuar një legjendë si Sir Bobby Charlton.

Në 13 sezone me “djajtë e kuq”, Rooney ka mundur t’i shënojë të 249 golat e tij në 543 ndeshje. Nga këto, 179 gola ai i ka shënuar në “Premier League”, 22 në Kupën e Anglisë, 5 në Kupën e Ligës, 39 në aktivitetet europiane dhe 4 në kompeticione të tjera.