Rrahman Rama shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Mitrovicës

30.06.2017 14:55:21

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, u shpall Qytetar Nderi i Mitrovicës.
Ky titull iu dha sot gjatë një seance solemne nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, në shenjë mirënjohjeje e respekti për kontributin e dhënë për Mitrovicën, Kosovën dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës e obligojnë që të çoj në vend vullnetin e tyre për të shpallur Rrahman Ramën ‘Qytetar Nderi’ të Mitrovicës.

Në anën tjetër, gjenerali Rama tha se ndjehet i privilegjuar tejmase për nderin që i ka bërë sot qyteti i Mitrovicës.

Sipas tij, shërbimi për të gjithë qytetarët e Kosovës për nderimin e një vendi të lirë dhe me prosperitet, gjithmonë ishte dhe do të mbetet prioritet i tij profesional.

“Unë gjatë gjithë karrierës time kam marrë shumë shpërblime, mirënjohje e çmime të ndryshme, por ky çmim është i pakrahasueshëm dhe ndër çmimet më të veçanta që kam pranuar ndonjëherë… Shërbimi për të gjithë qytetarët e Kosovës për nderimin e një vendi të lirë dhe me prosperitet gjithmonë ishte dhe do të mbetet prioritet imi profesional, pavarësisht pozitës ku jam… Është obligim i të gjithë neve që të respektojmë amanetin e dëshmorëve dhe gjakun e derdhur për këtë vend, që të punojmë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shtetit të lirë dhe demokratik dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ne kemi obligim të vendosim mbi bazën e themeleve të shëndosha për gjeneratat e reja që ata të vazhdojnë zhvillimin e Republikës së Kosovës, ku të gjithë do të gëzojnë të drejtat dhe mundësitë e barabarta”, theksoi Rama.

Ai tha se këtë çmim ia dedikon familjes së tij në radhë të parë, si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme.